Një arsye më tepër për të mundur të shtunën Kukësin do të jetë edhe shpërblimi që drejtuesit e klubit Vllaznia kanë menduar të vënë. Ende nuk është bërë e ditur shuma që do të jetë në dispozicion të skuadrës por e rëndësishme është që kuqeblutë do jenë edhe më të motivuar për ta arritur këtë gjë. Lajmi për vendosjen e shpërblimit e ka bërë të ditur vetë administratori i klubit Neritan Kalamishi në një prononcim për mediat kur ka deklaruar:

“Bashkë me Bordin drejtues jemi duke menduar dhe është e sigurtë që do të ketë një tjetër premio për arritjen e fitores ndaj Kukësit. I kemi qëndruar afër skuadrës edhe në ndeshjet e kaluar kur siç e dini, për pesë fitoret e arritura rradhazi, ajo është shpërblyer me 25 milionë lekë të vjetra. Kjo praktikë pune do të vazhdojë edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që të mos na mungojnë fitoret” – ka thënë ai. Numri 1 i klubit shkodran ka folur edhe për financat e tjera të klubit dhe ka garantuar se Bashkia Shkodër po mendon për sigurimin e anës financiare të tij deri në fund të këtij sezoni.  Prandaj ai ka shtuar: “Bashkia do të vazhdojë të na ndihmojë. Mendohet që në buxhetin e ri të akordohet një fond prej 250 milionë lekësh deri në fundin e këtij sezoni, fond që besoj se do të jetë mëse i mjaftueshëm për ta përballuar atë deri në fund. Madje, me një menaxhim të mirë dhe me ndihmën e Bordit, kemi si objektiv të shlyejmë edhe shumë borxhe të prapambetura që ato të mos i mbesin si barrë klubit duke pritur daljen e ligjit të ri dhe nisjen e procedurës së privatizimit të klubit në mënyrë që kur të vijnë drejtuesit e rinj të tij të mos kenë barrë mbi shpinë nga e kaluara”.

 

© shkodrasport.com