Një suprizë vërtetë e këndshme mund të ndodhë në ditët në vazhdim. Me Vllazninë mund të bashkohet mesfushori shkodran Gilman Lika. Ai në fakt është duke biseduar në Azerbajxhan dhe Kazakistan me dy ekipe por nëse gjërat nuk i shkojnë ashtu si duhet, mundësia më e madhe është që të luajë tek kuqeblutë për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën drejtori sportiv Armir Grima pasi është pyetur nëse ekziston mundësia e veshjes kuqeblu të tij.
“Me Gilmanin jam takuar para pak ditësh në Shkodër ashtu siç jemi takuar gjithmonë kur ai ka qenë aty dhe kuptohet që kemi biseduar edhe për Vllazninë. Unë ia kam bërë të ditur mundësitë financiare që ka klubi për ta paguar në rast se ai vendos të luajë me ne por kuptohet që për momentin, ishte më i interesuar që të firmoste diku jashtë. Nëse nuk ia arrin, dera e Vllaznisë për të do të jetë gjithnjë e hapur”- ka thënë ai.
Merkatoja
Pikërisht edhe për shkak të një pritje të mundshme të ardhjes apo jo të Gilman Likës, shkodranët nuk kanë ndër mend të marrin futbollistë të tjerë ndoshta. Kthimi i 28 vjeçarit në Shkodër do të ndodhte pas plot 6 vitesh e gjysëm kur ai nga Vllaznia kaloi fillimisht në kampionatin turk tek ekipi i Haxhitepes, për të vazhduar pastaj me disa ekipe të tjera, e për të mbërritur së fundi tek Flamurtari me të cilin luajti në gjysmën e parë të këtij sezoni. Por tashmë edhe me vlonjatët e ka ndërprerë kontratën dhe është vënë në kërkim të një ekipi të ri. Në fakt, objektivat e tij janë për të firmosur diku jashtë dhe ai është duke shqyrtuar dy oferta që ka marrë nga skuadra azerbajxhanase dhe kazakistanase. Ditët e fundit madje ka qenë në këto vende për të negociuar me to por duket se ende nuk ka arritur një akord. Dhe nëse nuk e arrin, duket se vetë lojtari ka vendosur të luajë në Shkodër për Vllazninë e kjo duket thuajse e sigurtë.
Familja
Një arsye më shumë që mund ta çojë Gilman Likën t’i thotë “po” Vllaznia është familja. Babai dihet që është tifoz i zjarrtë i kësaj skuadre ashtu si gjithë familja e tij. Kuptohet që ai nuk është ndjerë aspak mirë në disa raste të tjera kur i biri zgjidhte ekipe të tjera të kampionatit shqiptar për të luajtur dhe tifozët shkodranë ishin shumë të mërzitur me zgjedhjet e bëra prej tij. Madje duke e akuzuar. Ndoshta tani ka ardhur momenti për “t’u kthyer në shtëpi”. Vetë Gilmani ka filluar të ndjejë nostalgji për fanellën kuqeblu dhe jo më kot në në rrjetin social “facebook” dy ditët e fundit ka hedhur dy foto, pikërisht të ndeshjes së fundit të tij me Vllazninë, atë me Napolin. Rastësi apo jo, kjo tregon se mundësia për t’u riveshur kuqeblu për të është më e madhe se kurrë tani. Për këtë arsye, edhe drejtuesit e Vllaznisë nuk janë duke u marrë me emra të tjerë në merkato sepse mesa duket, largimin e Arsid Krujës, duan ta kompesojnë me një blerje “big”, atë të Gilman Likës.
© shkodrasport.com