Duhet të zhvillohej në Shkodër por në mbledhjen e fundit të kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit është vendosur që Kupa e Shqipërisë të zhvillohet në Tiranë në datat 8-10 dhjetor. Aktiviteti i dytë më i rëndësishmë kombëtar pas kampionatit do ketë edhe një ndryshim tjetër sepse në të nuk do marrin pjesë thjesht vetëm ekipet shqiptare por do jetë mbarëkombëtar.
Që do të thotë se në garat e kupës do jenë edhe boksierë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kuptohet, bëhet fjalë për boksierë shqiptarë nga këto vende të cilët kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë në këtë aktivitet që do zhvillohet këtë fundjavë në Shqipëri. Ekipi i Vllaznisë pas suksesit në kampionat ku u shpall kampion i vendit për të 17-tën herë, do të tentojë të fitojë edhe kupën. Sigurisht që do ketë një rivalitet të madh me ekipin e Tiranës për t’i treguar këtij ekipi se fitimi i kampionatit nuk ka qenë i rastësishëm por frut i punës së bërë dhe elementit më të mirë që Vllaznia ka në rradhët e saj. Trajneri Zef Gjoni në prag të finaleve të kupës shprehet entuziast për një sukses të rradhës të boksit shkodran kur thotë: “Jemi përgatitur intensivisht edhe për këtë aktivitet për ta mbyllur me shumë sukses vitin 2011. Edhe kupa do vijë në Shkodër dhe për këtë tifozët tanë duhet të jenë të sigurtë”.
shkodrasport.com