Basketbollistët e Vllaznisë nuk e nisën mirë kampionatin e ri teksa në ndeshjen e parë të kampionatit patën humbur në Shkodër ndaj Teutës së Durrësit. Kjo gjë në fakt i bëri disi pesimistë dashamirësit e këtij sporti për ecurinë e mëtejshme në kampionat, por basketbollistët shkodranë treguan se nuk do të heqin dorë kollaj nga pretendimet e tyre edhe sivjet.

Në ndeshjen e javës së dytë të kampionatit, ata kanë luajtur në Tiranë me Partizanin, ekip që dhe ai konsiderohet pretendent sivjet por kuqeblutë e trajnerit Gjeçaj kanë triumfuar ndaj tyre me rezultatin 82 me 75. Loja ka qenë e kontrolluar gjatë gjithë kohës nga shkodranët të cilët ashtu si në miqësoren e luajtur pak kohë më parë në Shkodër ndaj këtij ekipi, treguan se mund të fitojnë ndaj tij. Partizani në fakt sivjet ka patur një riorganizim të ri dhe konsiderohet një nga skuadrat më të mira të kampionatit bashkë me Tiranën, Teutën e Kamzën por humbja që i shkaktoi Vllaznia, e ka zbritur atë me këmbë në tokë. Nga ana tjetër, ky sukses i basketbollistëve shkodranë tregon edhe njëherë tjetër se ata do ta thonë fjalën e tyre në këtë kampionat pavarësisht problemeve që kaluan gjatë gjithë verës. Java e dytë e kampionatit ka qenë e mbarë edhe për ekipin e femrave të Vllaznisë. Edhe ai ka luajtur në transfertë, pikërisht në Korçë ndaj Skënderbeut vendas ndaj të cilit ka fituar me rezultatin 65 me 56. Padyshim që vajzat e drejtuara nga trajneri Rajmond Rasha nuk do të heqin dorë kollaj nga pretendimet e tyre për të qenë në katërshen e ekipeve më të mira të këtij kampionati dhe fitorja në Korçë padiskutim që u jep më shumë moral në këtë garë.

© shkodrasport.com