Vllaznia më në fund gjen fitoren e parë në miqësoret që po zhvillon përpara nisjes së sezonit të ri. Në takimin e pasdites së sotme përballë Kamzës, ajo ka fituar me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja është luajtur në fushën sportive të Shtojit dhe është dominuar krejtësisht nga kuqeblutë. Trajneri Zmijani e ka nisur ndeshjen me portierin Dragojeviç e më pas me Gurishtë, Haxhajn, Markun e Hakajn në mbrojtje, Shtubinës, Krymin, Bardullën e Selmanin në mesfushë dhe Ahmetin e Çinarin në sulm. Në pjesën e parë ka shënuar Çinari në minutën e 16-të dhe pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0.
Në të dytën janë aktivizuar edhe futbollistë të tjerë ndërkohë që janë shënuar edhe dy gola të tjerë teksa i dyti është shënuar sërish nga Çinari ndërsa i treti është shënuar nga Dyca në minutën e 88-të. Ajo që duhet përmendur është se në krahasim me takimet e tjera miqësore që ka zhvilluar skuadra shkodrane, sot është vërejtur një harmonizim më i madh në mes reparteve dhe kjo është parë qartë në lojë. Kuptohet që edhe niveli i kundërshtarit nuk ka qenë shumë i lartë megjithatë Vllaznia është paraqitur mirë dhe kjo ka ngrohur edhe stafin teknik por edhe tifozët që kanë qenë të pranishëm. Kuptohet që pritet edhe më tepër prej kësaj skuadre dhe me siguri që në ditët në vazhdim do të ketë rritje të formës dhe të saktësisë së lojtarëve para portës kundërshtare ngaqë shënimi i golit ka qenë një problem për të në miqësoret e zhvilluara deri më tani.
www.shkodrasport.com