
Periudha e verës nuk do të shoqërohet me probleme për ekipin e Vllaznisë. Ai e ka siguruar vazhdimësinë e procesit stërvitor, madje në kushte shumë të mira. Kjo falë fondit që është miratuar sot në mbledhja e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër e zhvilluar paraditen e sotme. Ky institucion ka miratuar ashtu siç ka bërë edhe më parë, edhe një tjetër fond për klubin e futbollit Vllaznia, pikërisht për të siguruar zhvillin e fazës përgatitore në kushte komode jashtë vendit si dhe për disa shpenzime të tjera. Bëhet fjalë për 75 milionë lekë të vjetra që janë dhënë për ekipin në mënyrë që ai të nisë sezonin e ri duke qenë se koha deri në mbledhjen e Këshillit të ardhshëm është e gjatë dhe për këtë arsye, do krijonte probleme. Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër Bardhyl Lohja, fondi I miratuar sot ka dalë nga rialokimi I fondeve të Bashkisë. Çka do të thotë se fondet që kanë tepruar prej tyre, i kanë kaluar futbollit. Por ndërkohë, edhe kjo mbledhje ashtu si shumë të tjera të këtij Këshilli nuk mund të kalonte pa debate e akuza. Këshilltarë të ndryshëm, kryesisht ato që kanë ngritur zërin gjithmonë, kanë akuzuar përsëri për shpërdorim fondesh nga ana e drejtuesve të klubit, megjithatë këto akuza u kaluan pa shumë zhurmë dhe këshilltarët e tjerë kanë ngritur dorën duke miratuar fondin e kërkuar.Por përveç tij, në mbledhjen e sotme është miratuar edhe një tjetër fond prej 25 milionë lekësh të vjetra, fond ky që do të shpenzohet për të bërë disa investime në fushën sportive “Reshit Rusi” në mënyrë që ajo të plotësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të ekipit të Vllaznisë deri në rikonstruksionin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi”. Në këtë mënyrë, me këto fonde të miratuara, duket se ecuria e Vllaznisë këtë verë do të jetë më e mirë se ajo e viteve të kaluara.
© shkodrasport.com