Sulmuesit anglez pritet të kthehen shumë shpejt në modë në Kategorinë Superiore. Pas Tiranës, që prej 2 sezonesh ka në radhët e saj, gjigantin, Michael Ngoo, një tjetër skuadër e elitës së futbollit shqiptar synon të ketë një anglez për sulmin. Bëhet fjalë për Vllazninë.
Shkodranët kanë shënjestruar britanikun, Hakeem Araba, që shihet si lojtari ideal për të “shpuar” rrjetat e kundërshtarëve. Eksperienca e madhe e tij duket se e ka bindur Vllazninë për të nisur bisedimet, por mbetet të shihet nëse ish-sulmuesi i Peterborough, Dagenham, Bishop’s, Bromley, Orgryte dhe PS Kemi do të bindet nga oferta e kuqebluve.
Gjatë karrierës së tij, 28 vjeçari ka realizuar 67 gola, statistika që tregojnë se Vllaznia e ka gjetur njeriun-gol dhe tashmë i mbetet drejtuesve për ta kënaqur edhe financiarisht.
Shkodranët janë prej kohësh në garë për një sulmues, por Amadu Latif i dha përgjigje negative, ndërsa Rubin Hebaj u zyrtarizua te ekipi i ri, Vorskla Poltava./newsport/