Mbi 50% e ekipit aktual mund të mos jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se, edicionin e ardhshëm, një pjesë e mirë e futbollistëve aktualë nuk do të jenë në planet e tyre. Një gjë e tillë konstatohet lehtë edhe nga lëvizjet që janë bërë së fundmi, duke i besuar më së shumti elementit të ri. Vllaznia e edicionit të ri do të jetë thuajse e përgjysmuar nga emrat aktualë. Vetë ndryshimet që synojnë të bëjnë drejtuesit, të bëjnë të mendosh se ndërtimi i Vllaznisë për sezonin 2013-2014 do të nisë me largime. Natyrisht që në një skuadër ku kanë munguar rezultatet dhe arritjet e objektivave, pritet të ketë “skarcime”. Lojtarë që përfliteshin të largoheshin që në fund të fazës, si Begaj e Deliç, ka të ngjarë që të mos rinovojnë. Pikëpyetje ka edhe për kosovarët Nallbani e Rexha, të cilët duhet thënë se kanë treguar vlera gjatë këtyre javëve të fazës së dytë. Por përveç tyre, në merkaton e dimrit u lakuan shumë futbollistë me emër që mund të iknin. Smajli e Vujadinoviç janë dy prej tyre, të cilët nuk e mendojnë të ardhmen në Shkodër, nisur edhe nga ofertat që kanë pasur, ndaj duken shumë larg kuqebluve. Në të njëjtën situatë është edhe rumuni Kristian Dragoi. Megjithatë, për tre lojtarët që kanë mbajtur peshë në një sezon të tërë, ende nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë do të ndodhë, pasi deri në fund diçka mund të ndryshojë. Por nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë emri tjetër, me peshë në formacion, të mos i ofrohet një marrëveshje për të qëndruar. Drejtuesit e klubit dhe ata të ekipit kërkojnë të tregohen të kujdesshëm në këtë drejtim, pasi nuk duan që skuadra të demoralizohet. Klubi pret maksimumin në këto 5 javë të mbetura, ndonëse shpresat për të zënë një vend në Kupat e Europës janë zbehur. Vetë trajneri Bushati në 450 minuta të mbetura kërkon të promovojë emra të rinj, që mund t’i shërbejnë për vitin e ardhshëm. Një gjë e tillë pritet të ndodhë që këtë fundjavë kundër Teutës, ku formacioni do të pësojë ndryshime.

Admir URUÇI