Drejtuesit e Vllaznisë në basketboll për meshkuj nuk ndalen në pretendimet e tyre këtë sezon për të marrë me çdo kusht titullin kampion. Pas tre blerjeve të bëra kohët e fundit, pikërisht të Markovskit, Kovaç dhe Dragiçeviç, dje kanë bërë realitet edhe marrjen e një tjetër basketbollisti cilësor. Bëhet fjalë për malazezin Nikolla Gjokoviç. I datëlindjes 1989, pra vetëm 24 vjeç, ky basketbollist ka luajtur në kampionatin malazez për ekipin Llovçen të Cetinjës. Lajmi është bërë I ditur nga trajneri I Vllaznisë Bledar Gjeçaj I cili për gazetën “Shkodra Sport” do të shprehej: “Sapo kemi bërë realitet marrjen e një tjetër basketbollisti. Bëhet fjalë për Nikolla Gjokoviç nga Mali I Zi. Ai luan në pozicionet dy dhe tre dhe mendoj se na shërben për lojën tonë. Marrja edhe e këtij basketbollisti tregon ambicjet e ekipit tonë për këtë kampionat teksa synojmë të jemi ndër ekipet më të mira të tij”. Ajo që duhet pranuar është se me lëvizjet e fundit tek ky ekip, në Shkodër është rikthyer interesi për sportin e basketbollit. Në ndeshjen e fundit me Shoqatën Tirana, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” kanë qenë mbi 500 shikues, çka tregon se gjërat janë në rrugë të mbarë. Për këtë sport, Vllaznia është shquar gjithmonë. Vetëm vitet e fundit ndoshta kjo traditë u prish disi por tashmë gjërat janë më ndryshe. Trajneri Gjeçaj vlerëson edhe nivelin e kampionatit tashmë në Shqipëri kur thotë: “Them dhe në fakt këtë nuk e them vetëm unë por është një realitet I prekshëm, se kampionati I sivjetëm është ndër më të bukurit e viteve të fundit. Janë 4-5 skuadra pretendente, të cilat kanë investuar, kanë marrë lojtarë nga jashtë dhe kjo e ka rritur nivelin e tyre. Ndeshjet janë bërë më të bukura dhe mendoj se deri në fund do ketë shumë rivalitet për shpalljen e skuadrës kampione”. Tek Vllaznia kësisoj me marrjen e malazezit Gjokoviç ka shkuar në katër numri I lojtarëve të huaj, bashkë me malazezin tjetër Dragiçeviç, maqedonasin Markovski dhe serbin Kovaç. Ardhja e këtyre lojtarëve cilësorë, sigurisht që ka shtuar shumë konkurrencën sepse bashkë me Berdicën, Taraboshin, Ndojën, Hutin apo dhe më të rinjtë si Bekteshi, Shestani etj, kanë krijuar një ansambël shumë interesant. Niveli I kësaj skuadre është rritur shumë. Këtë e tregon më së miri edhe rezultati I miqësores së fundit, asaj të luajtur mbrëmjen e së enjtes në Ulqin ndaj skuadrës vendase e cila renditet e dyta në kampionatin e Malit të Zi. Vllaznia deri në fund të periodës së tretë ka qenë në avantazh dhe vetëm në 10 minutat e fundit vendasit, falë përvojës më të madhe, kanë arritur të fitojnë takimin me 5 pikë.
Gjergj KOLA