Ende pa marrë frymë mirë nga mbyllja e sezonit dhe shijimi i trofeve të fituar, tek Vllaznia e femrave ka nisur menjëherë puna për përforcimin e skuadrës për Ligën e Kampioneve dhe për sezonin e ardhshëm. Dhe për këtë arsye, presidenti Lazer Matija ka bërë realitet tre goditjet e para në merkato.

Madje interesant është fakti se me të tre këto futbolliste ka firmosur një orë para ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë. Ato kanë qenë të pranishme në “Elbasan Arena” dhe pas hedhjes së firmës në kontratë kanë shijuar fitoren dhe triumfin e skuadrës së tyre të ardhshme.

Ka qenë ideja e vetë presidentit Matija për ta bërë prezantimin e tyre para kësaj finaleje, për t’u dhënë këtyre futbollistëve të kuptojnë se në çfarë skuadre kanë ardhur dhe çdo të thotë të fitosh trofe me të.

Po kush janë futbollistet që tashmë janë bërë pjesë e Vllaznisë? E para është portierja Lavdije Behramaj. Gjetja e një portiereje tjetër doli si domosdoshmëri dhe për rrjedhojë drejtuesit kuqeblu kanë arritur akordin me një nga portieret më të mira të kampionatit kosovar.

Përveç saj, ekipi shkodran ka firmosur edhe me mbrojtësen Arbenita Curraj dhe mesfushoren Rrezona Ramadani. Sipas presidentit Matija, me të tre këta futbolliste janë firmosur kontrata afatgjata sepse nisur edhe nga mosha e tyre e re shihen si elementë që do të jenë boshti i skuadrës edhe për disa sezone të tjera.

Të tre këta futbolliste kanë luajtur në sezonin e fundit me ekipin nënkampion të Kosovës, Ferronikelin, por nga e enjta tashmë janë pjesë e kampiones së Shqipërisë, Vllaznisë së Shkodrës. Sipas drejtuesve të kësaj të fundit përforcimet nuk do të ndalen këtu sepse synohet marrja edhe e të tjera lojtareve cilësore pasi ekipi do të ketë pretendime serioze në Ligën e Kampioneve.
www.shkodrasport.com