Një ditë më parë administratori i sapoemëruar i Klubit të Futbollit Vllaznia Suad Lici në konferencën e parë për shtyp deklaroi se emërimet e reja në këtë klub nuk do të bëhen më në bazë të preferencave të një apo dy personave por në bazë të platformave dhe biografive që do të paraqesin të gjithë kandidatët e mundshëm.
Dhe pikërisht pasi të jetë kryer ky proces, pastaj do të jetë administratori i klubit sëbashku me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës që do të përzgjedhin kandidaturat më të mira për vendet vakante.
24 orë pas kësaj deklarate vjen dhe hapi tjetër i Klubit të Futbollit Vllaznia. Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë në faqen e tij, u bëhet ftesë të gjithë të interesuarve për postin e drejtorit sportiv dhe të trajnerit të ekipit të Vllaznisë të paraqesin në klub një biografi të tyre sportive dhe platformën me të cilën mendojnë të punojnë.
Dorëzimi i tyre mund të bëhet edhe përmes një adrese emaili ose edhe dorazi në klub deri ditën e premte. Çka do të thotë se kjo ditë apo ndoshta edhe e shtuna, do të jenë përcaktuese për emrat e rinj të drejtorit sportiv të klubit shkodran apo dhe të trajnerit të ekipit të parë.
Për këtë të fundit, kanë qenë 5-6 kandidatë të deklaruar deri më tani që kanë shfaqur interes për të marrë këtë detyrë. Duke filluar nga Edi Martini, Ervis Kraja, Hasan Lika, por edhe Dervish Haxhiosmanoviç, Asim Gjokoviç dhe Baldo Raineri.
Por përveç tyre, mund të dalin edhe të tjerë emra të interesuar dhe gjithçka do të mësohet vetëm në ditët e fundit të kësaj jave.
Ndërsa për postin e drejtorit sportiv, emri më i lakuar ka qenë ai i Alban Nezirit por kohët e fundit në skenë kanë dalë dhe të tjerë personazhe të njohura.
Gjithsesi, fundi i kësaj jave do t’i japë fund këtyre dilemave. Ideja është që në fillimin e javës tjetër ekipi i Vllaznisë të jetë në stërvitje dhe të nisë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik.
www.shkodrasport.com