Vllaznia e ka humbur edhe miqësoren e dytë, atë të luajtur ndaj Bashkimit të Prizrenit. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe në fund të saj është fiksuar rezultati 65-86. Vetëm perioda e parë është dominuar nga vendasit që e kanë fituar atë 16-14 ndërsa në tre të tjerat kuptohet që kosovarët kanë dominuar nisur edhe nga përbërja shumë e mirë që kishin duke arritur ta fitojnë krejt takimin me 21 pikë diferencë. Në krahasim me miqësoren e zhvilluar tre ditë më parë ndaj ekipit të Pejës, këtë herë paraqitja e ekipit shkodran ka qenë krejt tjetër.
është vërejtur një rritje e lojës së Vllaznisë dhe një harmonizim më i mirë i basketbollistëve teksa ka rënë në sy për lojën e tij kapiteni Berdica, Ndoja, Bekteshi, Taraboshi, Arra, Faslija por edhe i riu Lekndreaj. Përballë tyre ishte një ekip shumë i përgatitur si ai i Bashkimit të Prizrenit i cili në rradhët e tij kishte dy basketbollistë amerikanë por edhe dy basketbollistët shqiptarë Shima e Hysenagolli. Kuptohet që ky ekip ishte shumë i fortë për Vllazninë megjithatë ka qenë një ndeshje e ekuilibruar.Këto miqësore po i shërbejnë ekipit shkodran për konsolidimin e tij dhe trajneri Gjeçaj natyrisht që ka punë për të bërë, për të sjellë atë në formën e duhur për ta përballuar siç duhet kampionatin e ri.
www.shkodrasport.com