Volejbollistët e rinj të Vllaznisë nuk kanë arritur të fitojnë dot titullin kampion për vitin 2012. Ata janë mundur në finale nga ekipi “Farka Volej” me rezultatin 3-1. Para se të mbërrinte në finale, ata kanë luajtur ditën e shtunë ndeshjen gjysmëfinale ndaj Elbasanit duke fituar të drejtën të diskutonte titullin kampion një ditë më pas. Ndeshja finale e kampionatit është luajtur pasditen e së dielës në Tiranë dhe është kontrolluar nga tiranasit. Ata kanë fituar setin e parë në shifrat 25-16 e po ashtu edhe të dytin 25-15. Në të tretin janë shkodranët që ndryshojnë diçka në lojën e tyre dhe për rrjedhojë e fitojnë atë në shifrat 25-21. Pas fitores së këtij seti ngjallen shpresat për një përmbysje të rezultatit por nuk ndodh kështu pasi Farka Volej fiton edhe setin e katërt në shifrat 25-18 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1 duke u shpallur kampion i vendit për këtë vit. Vllaznia është mjaftuar me vendin e dytë dhe titullin e nënkampionit. Në këtë mënyrë pas disa sezonesh rradhazi, detyrohet të dorëzojë titullin kampion që e kishte bërë “pronë” të tijën. Megjithatë edhe ky vend i dytë është një sukses për volejbollistët Tafili, Doniku, Qeraxhia, Gjoni, Kola, Rexhvelaj, Qafarena, Mithi e Bushati por edhe për trajnerin Mirjan Rrahishta. E rëndësishme është që nga ky ekip ka sportistë cilësorë që do t’i shërbejnë në të ardhmen ekipit të parë dhe janë elementë me perspektivë për volejbollin e Vllaznisë.
www.shkodrasport.com