
Ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka pësuar një humbje fatale në ndeshjen e mbrëmjes së sotme ndaj Tiranës, e vlefshme për kampionatin kombëtar. Ajo ka nisur në orën 18.00 dhe ka zgjatur rreth 120 minuta duke dhuruar jo pak emocione për sportdashësit e pranishëm por edhe protagonistët e të dy ekipeve. Në fund të takimit, ka qenë Tirana ajo që ka fituar 3-2. Ndeshja ka nisur më mirë për Vllazninë e cila fiton setin e parë në shifrat 25-21. Në të dytin janë miqtë nga kryeqyteti që luftojnë fort dhe e fitojnë atë me rezultatin 25-23 duke barazuar numrin e seteve. Shkodranët nuk pajtohen me këtë gjë dhe në setin e tretë janë ata që fitojnë 25-23. Pritej që në të katërtin të kishte sërish fitore të tyre dhe të krejt ndeshjes por nuk do ndodhte kështu. Tirana luan mirë, fiton edhe nga disa gabime të volejbollistëve të Vllaznisë dhe për rrjedhojë e fiton këtë set 28-26 duke e çuar takimin në set final. Edhe në të, ka shumë rivalitet por në fund është Tirana që fiton me rezultatin 16-14 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.
www.shkodrasport.com