www.shkodrasport.com
Vllaznia humb në gjysmëfinale ndaj Kamza Basket
Sonte në mbrëmje është luajtur ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Kamza Basket. Ndeshja ka nisur në orën 18.00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Ajo është dominuar kryesisht nga basketbollistët kamzalinj të cilët sidomos pas periodës së tretë e kanë patur në dorën e tyre rezultatin e ndeshjes dhe në të katërtën e kanë thelluar duke e mbyllur ndeshjen në shifrat 82-64. Duke parë edhe rezultatin e periodës së parë, 28-17, duket qartë se Kamza Basket ka dominuar në lojë ndaj skuadrës së trajnerit Gjeçaj. Kjo e fundit ka arritur ta fitojë periodën e dytë në shifrat 18-11, duke e ngushtuar kështu diferencën e pikëve në vetëm katër në përfundim të gjysmës së ndeshjes. Perioda e tretë ka dhuruar shifrat 23-20 për Kamza Basket që ka fituar edhe të katërtën 20-9 dhe gjithë ndeshjen me 18 pikë më tepër sesa Vllaznia. Skuadra shkodrane në këtë mënyrë është privuar pas kësaj humbje nga e drejta për të diskutuar ndeshjen finale të këtij viti të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.