Afrimi i kampionatit, po shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme nga drejtuesit e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pasditen e së mërkurës, ai ka zhvilluar një tjetër ndeshje miqësore dhe përsëri ndaj një ekipi kosovar. Këtë herë, përballë shkodranëve ka qenë ekipi Ylli i Suharekës. Për trajnerin Gjeçaj kjo miqësore në fakt zhvillohej në një kohë disi të papërshtatshme ngaqë nuk do të kishte në dispozicion tre prej titullarëve të tij dhe pikërisht Faslijën, Ndojën dhe Arrën. Me këto mungesa duke luajtur përballë një ekipi në rradhët e të cilit ishin edhe dy basketbollistë amerikanë dhe një boshnjak, kuptohet që do ishte e vështirë megjithatë takimi i zhvilluar në “Qazim Dervishi” tregoi tjetër gjë.

Ai është shoqëruar nga një rivalitet i fortë deri në fund dhe këtë e tregon më së miri fakti se koha e rregullt e ndeshjes është mbyllur në barazim 78 – 78. Kjo bëri që të luheshin 5 minutat e shtesës për të përcaktuar fituesin. Në këtë shtesë, kosovarët janë treguar më të saktë duke shënuar katër trepikësha rradhazi dhe në fund, Suhareka ka arritur ta fitojë gjithë ndeshjen me rezultatin 94 – 82. Pavarësisht këtij rezultati, miqësorja e djeshme ia arriti qëllimit që kishte stafi teknik i kuqebluve. Siç dihet, javën e ardhshme do të nisë kampionati dhe në javën e parë të tij, ata do të përballen me Tiranën. Kuptohet që është një sfidë shumë e vështirë megjithatë, loja e mirë që djemtë e rinj shkodranë kanë zhvilluar në këto miqësoret e zhvilluara ndaj ekipeve kosovare, kanë krijuar një besim tek trajneri Gjeçaj për një paraqitje shumë të mirë edhe në kampionat.

© shkodrasport.com