Vllaznia ka pësuar humbjen e parë në ndeshjet miqësore që po zhvillon në prag të nisjes së kampionatit të ri. Humbja i është shkaktuar nga ekipi i Tiranës në ndeshjen e zhvilluar pasditen e së mërkurës në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Bardheblutë kanë fituar 1-0 me golin e shënuar nga sulmuesi i tyre Çota në minutën e 30-të të ndeshjes. Takimi duhet thënë se ka qenë i ekuilbruar. Në pjesëne parë ka qenë Tirana e cila ka luajtur përgjithësisht më mirë. Vllaznia e nisi këtë ndeshje me portierin Selimaj, për të vazhduar me Gocajn, Sykajn, Beqirin dhe Seminën në mbrojtje, me Ramadanin, Bardullën e Tafilin në rolin e mesfushorëve shkatërrues dhe me dyshen Shtubina- Hajdari para tyre dhe në shpinë të sulmuesit të vetëm, Gjinit. Në pjesën e dytë të ndeshje, trajneri Canaj ka aktivizuar edhe portierin Hallunaj si dhe Belishën, Krajën, Rexhën, Demën, Dibrën, Krujën, Vecajn dhe sulmuesin vlonjat të ardhur për provë, Dhramin. Ky i fundit ka bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë madje ka patur një rast shumë të mirë për të barazuar rezultatin. Gjatë 45 minutave të dyta futbollistët shkodranë kanë luajtur më mirë, kanë krijuar më shumë raste megjithatë e gjithë ndeshja është fituar nga Tirana me rezultatin 1-0. Në rradhët e kësaj të fundit ka luajtur me sukses për 90 minuta edhe mbrojtësi shkodran Antonio Marku që është paraqitur shumë mirë. Humbja në miqësoren e djeshme nuk është se e ka shqetësuar shumë trajnerin e Vllaznisë Agim Canaj por në fakt ai duket i shqetësuar se skuadra nuk po arrin të marrë lojtarët e duhur në merkato.