
Skuadra e Vllaznisë është mundur pasditen e sotme në Peqin nga Shkumbini vendas me rezultatin 0-1. Goli i Isait në minutën e 44-të të ndeshjes, u ka mjaftuar vendasve për të marrë fitoren ndërkohë që me këtë humbje, kuqeblutë i japin fund “ëndërrës” së tyre për të kapur një vend që do t’i çonte në Kupat e Europës. Loja e shkodranëve ka qenë e dobët në këtë takim. Në pjesën e parë kanë luajtur diçka më mirë dhe kanë patur edhe 2-3 raste shënimi. Madje në minutën e 42-të ata kanë pretenduar për një 11-metërsh për një prekje të topit me dorë nga një mbrojtës i Shkumbinit por gjyqtari Alla nuk ka qenë i këtij mendimi. Ndërkohë një minutë para fundit të pjesës së parë, një top i gjatë ka shkuar në zonën e Vllaznisë për Roland Dervishin. Portieri Gjokoviç ka dalë duke e grushtuar topin që shkon tek Isai që me kokë, nga rreth 25 metra e ka dërguar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Vllaznia bën edhe dy zëvendësime, duke futur në lojë fillimisht Shtubinën dhe më pas edhe Gjinin por mungon forca goditëse drejt portës peqinase. Në kushte të tilla, fundi i ndeshjes, i ka dhënë fitoren Shkumbinit duke i shtuar shpresat e kësaj skuadre për mbijetesën në Superligë ndërkohë që me humbjen e sotme Vllaznia tashmë nuk ka më asnjë shpresë për të zënë një vend që do ta çonte në Kupat e Europës. Ndërkohë pasditen e sotme janë luajtur edhe tre ndeshje të tjera të Superligës që kanë dhënë këto rezultate:
Flamurtari- Luftëtari 3-0
Laçi- Bylis 3-1
Tomori- Apolonia 1-0
www.shkodrasport.com