Volejbolli për femra ka mbyllur sot ndeshjet e rradhës së Kupës së Shqipërisë. Kështu, Vllaznia e femrave që drejtohet nga trajneri Dorjan Tafa ishte mysafire në Tiranë duke u ndeshur me Barletin vendas, në ndeshjen e kthimit të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Një ndeshje kjo e shoqëruar me një rivalitet shumë të madh, teksa një gjë të tillë e vërtetojnë edhe shifrat e seteve, 3-2 për Barleti Volley.
Vllaznia e nisi me humbje setin e parë me rezultatin 25-20, por jo vetëm, sepse ato humbasin edhe setin e dytë, 25-15. Edhe pse në disavantazh të dy seteve, Vllaznia gjen forca për t’u rikthyer në lojë ku fiton dy sete rradhazi, të tretin dhe të katërtin me shifrat 22-25 dhe 21-25.
Kështu, me barazimin 2-2, për të përcaktuar fituesin e kësaj ndeshje luhet seti final. Entuziasmi i fitimit të dy seteve rradhazi në radhët e skuadrës kuqeblu pritej që të vijonte edhe në setin e pestë, por ka ndodhur e kundërta, sepse skuadra vendase e Barleti Volley arriti ta fitojë atë me shifrat 16-14 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin, 3-2.
Seti i fundit u shoqërua me një rivalitet shumë të madh dhe me një luftë të fortë sportive. Kështu, Vllaznia në volejboll për femra, për kompeticionin e Kupës së Shqipërisë e mbyll këtu, teksa u eleminua prej një nga skuadrave më të mira të volejbollit shqiptar për femra.
Ndeshja e rradhës për Vllazninë në kuadrin e kampionatit, do të jetë sërish ndaj Barleti Volley në transfertë, por kësaj rradhe do luhet për llogari të kampionatit. /Maringlen ZHIVANI/
Barleti Volley-Vllaznia 3-2 (25/20 25/15 22/25 21/25 16/14)