Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë dot të fitojë as në ndeshjen e tretë finale ndaj Kamza Basket. Ndeshja është luajtur mbrëmjen e sotme në sallën sportive të Kamzës dhe skuadra vendase e ka fituar edhe këtë ndeshje me rezultatin 81-54 duke e çuar në 3-0 numrin e fitoreve dhe për këtë, gjithçka sa i takon titullit kampion është mbyllur këtu. Kamza Basket është shpallur kësisoj kampion e Shqipërisë për sezonin 2012-13. Vllaznia është mjaftuar vetëm me vendin e dytë pavarësisht investimit të bërë nga donatorët e saj.
Megjithatë skuadra shkodrane është kampionia e këtij sezoni në një aspekt tjetër. Ajo riktheu tifozët në pallatin e sportit sërish. Sidomos ai “Qazim Dervishi”, në disa prej ndeshjeve të këtij sezoni ka patur një numër shumë të madh tifozësh, duke rikthyer imazhet e para viteve ’90. Megjithatë përballë Kamza Basket, ekipi shkodran tregoi që ka ende mangësi. Ndoshta ngaqë ai është krijuar me vonesë gjatë këtij sezoni ndërsa kundërshtari ka një ekip me përbërje e cila ka disa sezone që luan bashkë. Mbase për sezonin e ardhshëm duhet ndjekur një strategji tjetër në këtë drejtim gjithsesi përvoja e këtij sezoni besojmë se i ka vlejtur shumë trajnerëve dhe basketbollistëve të Vllaznisë.
Gjergj KOLA
Basketbollistet e Kamzes me medaljet e kampionit pas ndeshjes se sotme.