Ndryshe nga dy miqësoret e para, në të tretën Vllaznia e basketbollit të meshkujve nuk ia ka dalë të fitojë. Në takimin e luajtur pasditen e djeshme në Ulqin ndaj skuadrës vendase, ajo është mundur me rezultatin 111-89.

Sipas informacioneve që jep drejtori teknik i ekipit shkodran Altin Halili, në tre periodat e para loja ka qenë thuajse e barabartë, ndonëse ekipi i Ulqinit ka një përbërje shumë cilësore dhe jo më kot është ndër katër ekipet më të mira të Malit të Zi.

Diferenca në lojë është vendosur në minutat e fundit të ndeshjes sepse ekipi i Ulqinit aktivizoi të gjithë lojtarët dhe loja e tyre nuk pati oshilacione, ndërsa e kundërta ka ndodhur me aktivizimin e disa lojtarëve shkodranë tek Vllaznia sepse niveli i lojës ra.

Ky në fakt është një problem shumë serioz për ekipin shkodran sepse nuk ka kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh cilësorë për të përballuar siç duhet një ndeshje. Edhe në përballjen me Ulqinin, më të mirët për kuqeblutë kanë qenë basketbollistët amerikanë të saj.

Këtë herë ka spikatur edhe blerja më e fundit e tyre, Svete i cili sëbashku me Karter kanë qenë dy pikëshënuesit më të mirë të ekipit, ndërkohë që Hoëard ka bërë një paraqitje të mirë me lojën e tij në të dy tabelat.
© shkodrasport.com