Tirana ka rimarrë sërish kreun e renditjes në basketboll për femra, pas fitores 85-73 arritur mbrëmë në “Fahrie Hoti” ndaj Vllaznisë, sfidë e vlefshme për javën e 4-t të Kampionatit Kombëtar. Një fitore tejet e vështirë për bardheblutë, që për më shumë se 20 minuta ishin në disavantazh dhe ndjenë presionin e ushtruar nga vajzat shkodrane, që u shkëputën deri në 11 pikë në periodën e dytë. Por në fund diferencën e bënë kualitetet e skuadrës bardheblu, që ditën të rikuperojnë disavantazhin më shumë falë lojës së individëve se sa asaj kolektive.

Vllaznia befason bardheblutë në pjesën e parë, duke udhëhequr 19-22 pas periodës së parë, diferencë që do të rritej ndjeshëm në çerekun e dytë. Mikeshat shkëputen për një çast 29-40, por disa sulme të shpejta të Tiranës bënë që shifrat të ngushtohen 38-40 në përfundim të gjysmës së parë. Në pjesën e dytë Tirana merr “masat” dhe është një shkodrane, Sokoli si dhe veterania Alibegaj që shkëputin bardheblutë 59-54 në periodën e tretë. Në çerekun e fundit Tirana administron mirë avantazhin dhe nuk lejon Vllazninë të rikuperojë, pavarësisht përpjekjeve të shkodraneve, duke fituar 85-73 dhe ngjitet në kuotën e 8 pikëve.
Tirana-Vllaznia 85-73
(19-22, 19-18, 21-14, 26-19)
TIRANA: Sokoli, Gjoni, E.Bujari, Palko, Kostallari, M.Alibegaj, Duqi, Kafazi, Ndreu, Bulku. Trajner: E. Borova
VLLAZNIA: Çoçja, I.Dashja, Mlika, Mustafa, Basha, Zoga, Zukthi, A.Dashja, Beranija, Matija, Juka, Ndoj. Trajner: R. Rasha
Gjyqtarë: G.Cici, E.Hoxhaj

www.shkodrasport.com