Vllaznia pasditen e së premtes do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore. Ajo do të luajë në Tivar të Malit të Zi ndaj skuadrës vendase Mornar. Para kësaj miqësoreje, ekipi shkodran pasditen e sotme ka zhvilluar seancën e rradhës. Ajo që ka rënë në sy në këtë seancë ka qenë prania e vetëm njërit nga dy portierët e mbërritur ditën e djeshme në Shkodër. Bëhet fjalë për sllovenin Marko Pridigar. Ndonëse ai kishte ardhur tek Vllaznia me shpresën për të firmosur për të, 31 vjeçari slloven e ka parë të arsyeshme të kthehet sërish andej nga kishte ardhur pa bërë qoftë edhe një stërvitje të vetme me kuqeblutë.
Në ndryshim me të, malazezi Nemanja Shekiç ka qenë i pranishëm në këtë seancë dhe nesër në miqësore do të jetë në provë, ndeshje në të cilën do të vendoset edhe për fatin e tij. Ndërkohë pasditen e sotme në stërvitje ka qenë i pranishëm edhe sulmuesi serb Aleksandar Rakiç i cili u pëlqye edhe në miqësoren e parë me Deçiç dhe po ashtu do shikohet edhe nesër dhe do të mësohet më pas për fatin e tij. Por përveç këtyre dy futbollistëve, me interes është edhe forma që do të tregojnë dy futbollistë të tjerë, një sulmues dhe një mesfushor. Në këtë mënyrë, Vllaznia është shndërruar në një kantier të vërtetë. Lojtarë që vijnë e ikin çdo ditë, po tentojnë të gjejnë një vend në rradhët e kësaj skuadre por deri më tani asnjëherë prej tyre nuk ka arritur dot të bindë trajnerin Cungu. Se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, mbetet për t’u parë. Ajo që e pranojnë të gjithë është se skuadra ka nevojë për përforcime.
© shkodrasport.com