Vllaznia nuk ka shkuar dot më shumë sesa barazimi 2-2 në ndeshjen ndaj Luftëtarit të luajtur pasditen e së mërkurës në “Loro Boriçi”. Madje goli I barazimit është shënuar nga kapiteni Shtubina në minutat shtesë të takimit. Gjithsesi është një pikë që vlen për vazhdimësinë e mëtejshme të kampionatit ndërkohë që gara për vendin e katërt në renditje duket se është humbur tashmë. Shkodranët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të një 11-metërshi të kthyer në gol nga Bakaj ndërkohë që në fundin e pjesës së parë, Bojom ka barazuar për gjirokastritët.
Në të dytën do ishte Rexhinaldo që do të kalonte në avantazh Luftëtarin I cili po luante më mirë dhe u duk se do ta fitonte këtë ndeshje por një gol I Shtubinës në minutën e 93-të ka bërë që ndeshja të mbyllej në barazim. Nga mënyra si shkoi loja, trajneri I Vllaznisë Armando Cungu është shprehur I kënaqur me rezultatin e marrë ndërsa e kundërta ka ndodhur me trajnerin e Luftëtarit Mladen Milenkoviç. Ndeshja e rradhës për shkodranët do të jetë ajo që do të zhvillojnë ditën e hënë në Laç, para se të udhëtojnë në ndeshjen e parafundit për në Durrës dhe për ta mbyllur kampionatin në sfidën që do të luajnë në Shkodër me Tiranën.
© shkodrasport.com