Humbja e pësuar në ndeshjen ndaj Flamurtarit, I ka kthyer shkodranët me këmbë në tokë. Kjo ngaqë pati shumë entuziasëm në prag të kampionatit dhe të gjithë shpresonin për një kampionat të mbarë. Megjithatë nuk do të jetë krejt kështu. Përveç humbjes me vlonjatët, ajo që “djeg” është loja shumë e dobët që kanë zhvilluar kuqeblutë. Për momentin askush nuk mund të thotë pse ndodhi kështu. Ndoshta as vetë trajneri Agim Canaj. Ai sigurisht që është më I zhgënjyeri në këtë mes ngaqë ka pritur një paraqitje tjetër të të besuarve të tij.
Problematika
Problemi kryesor I kësaj Vllaznisë duket se është loja sulmuese. Ka qenë një shqetësim I vazhdueshëm I stafit drejtues gjatë gjithë kësaj periudhe pa nisur mirë kampionati. Mungesa e një lideri në këtë repart, I ka shqetësuar të gjithë. Ardhja e kroatit Bushiç u mendua se do t’I rregullonte disa gjëra por në fakt ai nuk ka luajtur ngaqë ende nuk I kishte mbërritur leje- kalimi nga klubi I mëparshëm. Në mungesë të tij, ka luajtur në majë të sulmit Gjini por ai nuk ka bërë asgjë. Madje jo vetëm ai. Nuk kanë bërë asgjë as dy mesfushorët me tipare sulmuese, Hajdari dhe Shtubina prej të cilëve ndoshta pritej më tepër. Nuk kanë bërë asgjë as tre mesfushorët e tjerë, Tafili, Bardulla dhe Ramadani. Madje këta dy të fundit u zëvendësuan me të mbaruar pjesa e parë dhe në vend të tyre luajtën Belisha dhe Dibra. Në fakt, as këta dy të fundit nuk bënë asgjë. Një Vllazni që nuk tregoi asgjë në këtë ndeshje. Një lojë pa asnjë lidhje. Vetëm topa të gjatë në adresë të sulmit aty ku Veliu e Dushku nuk e kishin aspak të vështirë t’I neutralizonin këto topa. Të themi gaboi Canaj me këtë mënyrë loje që zgjodhi, ndoshta nuk është gjetja e duhur pasi ai vështirë t’I ketë orientuar futbollistët e tij të luanin ashtu. Mbase këta të fundit në përpjekjet e dëshpëruara për të gjetur të paktën një barazim, kanë luajtur ashtu. Ajo që mbetet është se shkodranët duhet të korigjojnë shumë gjëra sa I takon mënyrës së të luajturit për ndeshjet e ardhshme.
Pushimi
Periudha dyjavore e ndërprerjes së kampionatit pritet t’I shërbejë drejtuesve të Vllaznisë për të korigjuar gabimet e vërejtura në ndeshjen e parë. Vetë trajneri Canaj është shprehur se ndërprerja vjen në momentin e duhur. Megjithatë ajo që duhet parë tani është se çfarë do korigjojnë kuqeblutë në lojën e tyre. Nëse vazhdojnë të luajnë si ndaj Flamurtarit, sigurisht që gjërat do të bëhen edhe më të vështira dhe ecuria e skuadrës do të jetë me pasojë në vazhdim të kampionatit. Sfida e rradhës do të jetë në transfertë me ekipin e Kukësit dhe një tjetër dështim, do ta kalonte skuadrën shkodrane në një moment jo të mirë psikologjik. Prandaj gjatë këtyre dy jaëvve, do duhet shumë punë nga stafi drejtues. Ashtu edhe nga vetë futbollistët që nuk duhet të pajtohen me këtë situatë sepse ajo është në disfavorin e tyre.
Gjergj KOLA