Humbja në Durrës ka ardhur në momentin më të keq për Vllazninë. Ndalesa e një dite më parë e Skënderbeut kryesues, I jepte mundësinë asaj që t’I afrohej me tre pikë korçarëve dhe përveçse do forconin pozitat në vendin e dytë, do u largohej ndjekëseve të saj në renditje. Trepikëshi ndaj Teutës do ishte “qershia mbi tortë” e kuqebluve në serinë e takimeve të tyre positive. Por nuk ka qenë e thënë të ndodhte kështu. Vllaznia nuk ka arritur të marrë qoftë edhe një barazim në këtë ndeshje, ndonëse për një moment ia arriti nëse topi që goditi traversën do të përfundonte në rrjetë. Humbja e pësuar dy ditë më parë ka kthyer me këmbë në tokë shkodranët. Nëse deri tani thuhej se këtë skuadër ishte e vështirë ta mundje, në fakt nuk është krejt kështu. Në tre ndeshjet e fundit, ka humbur dy (me Shkumbinin për kupë dhe Teutën për kampionat) dhe ka fituar vetëm një (me Shkumbinin për kampionat). Çfarë do ndodhë në ndeshjen e rradhës, sërish me peqinasit për kupë? Nëse Vllaznia nuk e vlerëson seriozisht kundërshtarin dhe ndeshjen, mund ta shohë veten edhe jashtë kupës. E rëndësishme është të korigjohen gabimet e vërejtura në ndeshjet e fundit dhe sidomos në atë të Durrësit.
Paraqitja në fushë. Ndaj Teutës skuadra shkodrane nuk ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Këtë nuk ka nevojë ta vësh në dyshim. E thonë këtë gjë të gjithë ata që e kanë parë përmes ekranit të televizionit, e thonë ato pak tifozë shkodranë që kishin udhëtuar deri në Durrës për të mbështetur skuadrën e tyre në këtë ndeshje. Me siguri do ta ketë thënë edhe vetë kryebashkiaku Lorenc Luka që këtë herë ka qenë vetë I pranishëm në ndeshje dhe duhet të jetë larguar I mërzitur nga “Niko Dovana”. Vllaznia ka lënë për të dëshiruar me lojën që ka zhvilluar. Vërtetë në pjesën e dytë ajo ka ushtruar më tepër presion në kërkim të golit të barazimit, por nuk ka qenë e qartë në lojë. Sulmi vazhdon të mos funksionojë fare dhe këtë gjë tashmë e kanë konstatuar të gjithë. Në mesfushë këtë ndeshje janë vërejtur shumë probleme. Qendra nuk furnizion aq sa duhet me topa dhe përpos kësaj ka probleme edhe me Hajdarin që nuk është në formën e tij më të mirë. Në mbrotje është diçka më mirë por gabon atëherë kur nuk duhet dhe ndonëse Teuta nuk e meritoi të fitonte, e arriti këtë falë një hezitimi të mbrojtjes për të larguar t
Zëvendësimet. Një javë më parë, për trajnerin Duro pati kritika sepse në ndeshjen e luajtur në Shkodër ndaj Shkumbinit, në 25 minutat e fundit të ndeshjes aktivizoi një mbrojtës dhe luajti me 5 të tillë për të mbrojtur rezultatin.  Kritikat vazhduan por vetë trajneri doli me idenë e “pragmatizmit” se për të më shumë kishte rëndësi rezultati sesa bukuria e lojës. Në njëfarë mënyre, kjo logjikë është edhe e drejtë pavarësisht se shkodranët shquhen për futboll të bukur. Por ndërkohë, e njëjta gjë u përsërit në njëfarë mënyre edhe dje. Në minutën e 75-të trajneri Duro ka larguar nga fusha një mesfushor- Belishën dhe ka futur në lojë një mbrojtës- Krajën!!! Rezultati në ato momente ishte 1-0 për Teutën dhe në pamje të parë sërish të krijohet ideja se trajneri I Vllaznisë ka dashur të mbrojë rezultatin. Por në fakt ai ka menduar dhe vepruar ndryshe. Ka kthyer Krajën në qendër të mbrojtjes bashkë me Beqirin dhe ka spostuar Osmanin në mesfushë, pse jo edhe deri në sulm për të shfrytëzuar shtatëlartësinë e tij ndoshta. Një zgjidhje e pakuptimtë kjo për shumë prej specialistëve. Nëse Duro ka bërë këtë lëvizje, kjo tregon se ai nuk ka shumë besim tek lojtarët e tjerë që ka patur në pankinë dhe ky është një problem më vete sepse ai gjykon se mungojnë alternativat e duhura që mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës në një kohë që në pankinë në ato momente kanë qenë edhe dy mesfushorët Nalbani e Bardulla si dhe sulmuesi Guri.
Gjergj KOLA