Opinion nga Gjergj KOLA

Dy fitoret e para në ndeshjet me Skënderbeun dhe Kukësin kthyen entuziasmin në kampin shkodran. Njëkohësisht u shpresua në një fitore edhe në ndeshjen e rradhës me Luftëtarin por nuk ndodhi kështu. Por përveçse nuk u arrit të merrej qoftë edhe një pikë në këtë ndeshje, ajo që mbetet ishte loja shumë e dobët që ka zhvilluar skuadra shkodrane. Prej saj janë zhgënjyer të gjithë drejtuesit e skuadrës dhe ato të klubit. Janë zhgënjyer tifozët e shumtë kuqeblu që e kanë parë përmes ekranit të televizionit këtë ndeshje. Vllaznia që u pa në fushë pasditen e së shtunës në Gjirokastër nuk ishte Vllaznia e dy ndeshjeve të para. Ishte Vllaznia e shumë ndeshjeve të fazës së parë të kampionatit. Në fakt shumëkush e justifikon këtë gjë sepse “brumi” ai është, ai që pati në dispozicion ish-trajneri Duro, madje më I reduktuar. Në këtë mënyrë, humbja ndaj Luftëtarit e ka kthyer këtë skuadër me “këmbë në tokë”. Natyrisht edhe drejtuesit e saj. Në fakt, gjatë dy javëve të kaluara pati shumë entuziasëm rreth skuadrës. Nëpër studio televizive filloi të flitej për Europën, madje ndonjë thoshte se nuk është çudi nëse Vllaznia tenton edhe titullin kampion përderisa matematikisht kjo ishte e mundur. Por këta njerëz që më shumë këto shprehje I kishin për reklamë sesa I kishin origjinale, harronin se skuadra ishte po ajo. Dhe sinjali I dhënë në Gjirokastër është treguesi më I mirë për këtë. Nëse ka patur entuziasëm ai ka ardhur thjesht ngaqë u ndryshua trajneri dhe presidenti, vetëm kaq. Por në një moment, kjo “Vllazni artificiale” e garës për një vend në Kupat e Europës u sfumua. Vetë trajneri Artan Bushati në fakt e kishte të qartë se skuadra nuk ishte në lartësinë e duhur për të qenë mes ekipeve më të mira të kampionatit. Dy ndeshjet e para mbase janë nxjerr pak me sforco. Skuadra nuk ka as përgatitjen e duhur dhe as përbërjen e duhur për të pretenduar. Megjithatë mund të shpresohet. Ndaj Apolonisë në ndeshjen e rradhës duhet tentuar ta nisë nga fillimi edhe njëherë. Ashtu si para ndeshjes së parë me Skënderbeun. Nëse kjo skuadër nuk ecën me entuziasëm do ta ketë të vështirë të çajë përpara. Ditën e ndeshjes me Luftëtarin, në një media sportive presidenti Agron Çela do deklaronte: “Kjo është një Vllazni e frikshme, e cila mund të mundë çdo kundërshtar”. Rezultoi ndryshe në fakt, atë e mundi një nga skuadrat më të dobëta të kampionatit. Dhe ky duhet të jetë një mësim i mirë për të gjithë pjestarët e skuadrës shkodrane.