Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për ta forcuar ekipin vazhdojnë. Presidenti Xhaferi dhe drejtori teknik Halili, pasi kanë marrë edhe aprovimin e trajnerit Plantak, mësohet të kenë tentuar rikthimin në ekip të basketbollistit shkodran Daniel Lekndreaj.
Siç dihet, ky i fundit në fillim të këtij sezoni kaloi tek Partizani, aty ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe njëkohësisht edhe një nga pikëshënuesit më të mirë të tij. Oferta financiare e drejtuesve të Vllaznisë mësohet të ketë qenë shumë e mirë por gjithsesi kjo lëvizje nuk do të realizohet.
Arsyen e ka zbuluar për “Shkodra Sport” vetë Lekndreaj kur është shprehur: “Po, është e vërtetë që drejtuesit e Vllaznisë më kanë bërë një ofertë shumë të mirë por megjithë dëshiën time për t’u rikthyer e për ta ndihmuar këtë skuadër në këto momente të vështira që ajo po kalon, kjo gjë nuk mund të realizohet.
Unë kam kontratë me Partizanin dhe u mundova t’i bindë drejtuesit e tij për të më lënë të lirë të kthehem në Shkodër, por ata nuk më lejuan sepse më konsiderojnë të rëndësishëm për planet e tyre. Më vjen keq, por rikthimin tek Vllaznia e kam të pamundur në këto momente, gjithsesi i uroj suksese kësaj skuadre”.
© shkodrasport.com