Do të luhet të dielën në orën 16:45 dhe Vllaznia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen ndaj Partizanit. Siç dihet ajo do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të jetë shumë e vlefshme për të dy ekipet. Në pamje të parë, shkodranët luajnë për dy rezultate sepse diferenca prej 9 pikësh në renditje me kundërshtarin ua jep këtë të drejtë.

Kjo do të thotë se atyre u bën punë edhe barazimi, megjithatë trajneri Brdariç e ka bërë të qartë gjithmonë se Vllaznia futet në fushë me objektivin e qartë vetëm për të fituar, Për sfidën ndaj Partizanit, stafi teknik nuk do të ketë të gatshëm vetëm sulmuesin Avdijaj që ka një problem dëmtimi, por ndërkohë pritet që të jenë në dispozicion dy blerjet e fundit të kuqebluve, mesfushori malazez Kaleziç dhe sulmuesi nga Guinea Cisse.

Klubi shkodran ka nisur procedurën e federimit të tyre dhe pritet që deri të dielën të vijnë leje- kalimet nga ekipet e tyre të mëparshme. Në kampin shkodran ka shumë besim se nuk do të kthehen nga Elbasani pa një rezultat pozitiv megjithatë këtë gjë do ta vendosë takimi i së dielës.

Ashtu si dhe në ndeshjet e kaluara, edhe këtë herë drejtuesit e klubit pritet që të vendosin në dispozicion të ekipit një shpërblim, çka do t’i motivojë edhe më shuëm futbollistët për të bërë më të mirën në fushën e lojës, ndonëse ndeshje të tilla nuk kanë nevojë për motivim sepse janë shumë të rëndësishëm për çdokënd.

Deri në javën e 16-të Vllaznia ka bërë gjithçka mirë në kampionat dhe pritet që kjo ecuri të vazhdojë edhe më tej./SHKODRA-SPORT.COM/