Ndërprerja e kampionatit duket se ka mbërritur në momentin e duhur për Vllazninë. Një gjë të tillë e kanë theksuar edhe drejtuesit e saj. Ato do të shfrytëzojnë këto ditë për të rregulluar ato defekte që janë hasur në takimet e fundit, ku barazuan në kryeqytet me Tiranën.
Por me shumë gjasa këto do të jenë ditë të përshtatshme për stafin teknik. Pas një mungese të gjatë, trajneri Jonuz do të ketë të gatshëm edhe një nga lojtarët që ka shfaqur shumë vlera në takimet ku është aktivizuar, maqedonasin Filip Gligorov. Mësohet se Gligorov mund të jetë i gatshëm gjatë këtyre ditëve për teknikun Jonuz.
Ai ka munguar që pas takimit me Flamurtarin duke sjellë jo pak probleme edhe për sa i përket ndërtimit të formacionit nga ana e trajnerit maqedonas. Ai ka qenë një nga lojtarët që ka sjellë shumë garanci si në fazën mbrojtëse, e po ashtu edhe në aspektin sulmues për ekipin shkodran. Nga stafi mjekësor mësohet se Gligorov mund të jetë i gatshëm që këtë javë për të qenë së bashku me ekipin në stërvitje.
RIAFTËSIMET
Përveç Gligorovit, ndërprerja e kampionatit do të vlejë edhe për lojtarët e tjerë. Fluksi i takimeve ka bërë që lodhja të ndihet në këmbët e tyre. Këto ditë do të jenë të mjaftueshme për një rikuperim të mundshëm për gjithsecilin prej tyre, por edhe për ato që kanë pasur dëmtime të vogla. Këto ditë shpresohen që të jenë të mjaftueshme edhe për brazilianin Hygor që të kalojë problemet e tij familjare në Brazil dhe të jetë së bashku me ekipin në përballjen e ardhshme ndaj Teutës.
STËRVITJA
Nisur nga ndërprerja e kampionatit për këtë fundjavë, trajneri Mirsad Jonuz e ka lënë dy ditë pushim ekipin e tij. Pikërisht dita e hënë dhe e marta janë lënë pushim nga ana e teknikut në mënyrë që lojtarët të rigjenerojnë energjitë për të qenë të gatshëm për stërvitjet e këtyre dy javëve, të cilat janë në funksion të Teutës.