Vllaznia-Tirana është kryendeshja e kësaj jave, e cila është programuar të luhet ditën e premte (18:00), në “Loro Boriçi”. “Klasikja” e futbollit shqiptar i ka impenjuar maksimalisht të dyja skuadrat të cilat kanë një ecuri pozitive në kampionat.

Tirana ka regjistruar 6 fitore radhazi në Superiore, ndërsa në Shkodër do të kërkojë të thyej “rekorde” në këtë kampionat. Nga ana tjetër edhe Vllaznia ka gjetur veten. Në 3 ndeshjet e fundit kanë 1 fitore ndaj Flamurtarit(2-0) dhe dy barazime ndaj Laçit(0-0) dhe e fundit me Bylisin(2-2).

Vllaznia do të kërkojë maksimumin ndaj bardhebluve dhe trajneri Jonuz ka fiksuar titullarët për “Klasiken” e radhës. Teksa kuqeblutë kanë mbyllur seancën stërvitore të fundit, formacioni i titullarëve nuk pritet të ketë shumë ndryshime me atë ndaj Bylisit në javën e kaluar.

Në portë pritet të jetë Sherri, më pas treshja, Adili, Shehi, Malota, në mesfushë do të jetë ndryshimi i vetëm ku në vend të Sidorenkos pritet të aktivizohet Krymi, i cili do të ketë mbështetjen e Ramadanit dhe Hygor. Pjesa ofensive pritet të jetë me Markun dhe Gurishtën nga krahët ndërsa Lika e Zhunior në maj të sulmit.