Çështja e shumërfolur e lënies së disa futbollistëve të rinj jashtë skuadrës në fazën përgatitotre që ajo zhvilloi në Ulqin, ka krijuar jo pak pakënaqësi në Shkodër. Për më tepër që ditët e fundit, dy prej këtyre të rinjve, sulmuesi Belajdi Pusi dhe mbrojtësi Enes Isufi morën ftesa nga kombëtaret U-20 dhe U-19 për grumbullimet e tyre të rradhës. Trajneri Gjoka është pyetur pasditen e sotme nëse kishte një përgjigje për këtë çështje dhe ai është shprehur:
“Patjetër që ka një përgjigje. Ne nuk i kemi lënë jashtë, absolutisht jo por jemi marrë me problemin më madhor dhe kryesor që Vllaznia ka aktualisht sepse problemi madhor është që Vllaznia kërkon ta dalë nga ky ngërç. Për të rinjtë jam në dijeni, jam në dijeni edhe nga trajneri i kombëtares U-21, jo tani por edhe më përpara. I uroj të rinjve që të ecin përpara në këto seleksionime që shkojnë për të nderuar Vllazninë sepse ky është një test për ata.
Nëse do kalojnë këtë test atëherë mund të thirren nga këto kombëtare. Të rinjtë janë në fokusin tonë, janë bashkë me ne. Është edhe Hysenaj bashkë me Pusin dhe Isufin dhe janë tre lojtarë që ne pretendojmë që nesër mund të jenë pjesë kryesore e Vllaznisë”.
© shkodrasport.com