Hasan Lika, trajneri i skuadrës së Vllaznisë, në emisionin “Fair-Play”, ndër të tjera ka analizuar edhe skuadrën që ai drejton: “Fituam me meritë ndaj Korabit, por shohim përpara javë pas jave.

Unë e kam thënë edhe më përpara, që kjo është faza finale. Vllaznia synon Superioren sepse i takon që të jetë aty. Vllaznia i mungon futbollit shqiptar”, – tha trajneri Lika.

“Ndeshjet janë shumë të vështira. Jo vetëm kjo me Korabin, të cilën e fituam në fund, por edhe ajo në Fushë-krujë, me Ilirinë vendase. Të gjitha ekipet mobilizohen kur kanë përballë Vllaznisë sepse duan që të tregojnë vlerat e veta”.

“Sa i përket rivalëve, Erzeni është skuadra më e fortë në grup dhe që me sa shoh do të rivalizojë fort me ne deri në fund. Gara është e hapur edhe për vetë formulën e Kategorisë së Parë.

Unë kam besim se ne do t’ia dalim edhe në saj të përforcimeve që do të bëjmë”, – e mbylli prononcimin e tij, trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hasan Lika./vipsport/