Vllaznia do të zbresë ditën e sotme në fushën e stërvitjes, pasi tashmë ka nisur që të mendojë për ndeshjen e rradhës, që do të jetë për Kupën e Shqipërisë kundër Flamurtarit më 26-shtator. Të gjithë futbollistët, me përjashtim të Latifit dhe Boshnjakut, pritet që të jenë sot nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa.

Për javën e gjashtë të kampionatit, Vllaznia do të luajë një ndeshje në transfertë, teksa këtë herë do të përballen me Teutën. Durrsakët dhe shkodranët do të përballen mes tyre më 30-shtator.

Deri atëherë, koha premton dhe trajneri Josa pritet që ta shfrytëzojë këtë periudhë. Kjo kohë i shërben stafit edhe për rikuperimin e ndonjë futbollisti që ka qenë i dëmtuar. Shkodranët kanë nëntë pikë deri më tani dhe synimi është që të jenë në pozita nderi këtë sezon në Superiore, pasi do të tentohet titulli kampion.

Gjithsesi, presidenti Alban Xhaferi dhe stafi teknik me në krye Josën, janë munduar të mbajnë në tonus skuadrën, duke kërkuar të marrin maksimumin nga çdo futbollist. Në sfidën e fundit me Kastriotin, mesfushori Esat Mala dha asistin e golit, teksa nga kosovari shkodranët presin shumë në javët e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI