
Mbrojtësit Dy mbrojtësit malazezë të Vllaznisë, Braçan Popoviç dhe Gavrilo Petroviç, të cilët u bënë pjesë e klubit që në fillimin e këtij sezoni, gjithashtu janë drejt largimit. Në fakt, Petroviç thuajse u largua në janar, pasi drejtuesit e kishin jashtë planeve, por moszgjidhja e kontratës me mirëkuptim, bëri që ai të qëndronte. Pas një periudhe jo të shkurtër jashtë skuadrës, Petroviç është rikthyer si titullar në ndeshjet e fundit. Nga ana tjetër, mbrojtësi i majtë, Popoviç, ka qenë më konstanti në aktivizime. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të bindur plotësisht stafin teknik, pasi në atë pozicion kërkohet një lojtar më efektiv. Gjatë sezonit të kaluar, te Vllaznia luajti Abraham si mbrojtës i majtë, ndërsa Popoviç debutoi për kuqeblutë në ndeshjet e Ligës së Evropës, duke lënë një përshtypje të mirë.
Rinovimet Katër lojtarë nga grupi aktual janë të sigurt se do të jenë pjesë e ekipit në sezonin e ri. Portieri Vujadinoviç, mbrojtësit Smajli e Gocaj, dhe mesfushori Hajdari, kanë fituar besimin e drejtuesve dhe kanë rinovuar kontratat. Gjithashtu, edhe të rinjtë e afirmuar gjatë këtij sezoni kanë kontrata që zgjasin edhe për dy vite të tjera. Drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet me disa nga titullarët, por ende s’ka zyrtarizime.