Sot është luajtur java e 15-të e kampionatit të futbollit për U-L21. Vllaznia e drejtuar nga Elvis Plori ka pritur në Shkodër dhe më konkretisht në fushën sportive “Reshit Rusi” skuadrën e Dinamos. Kuqeblutë kanë arritur të marrin një sukses në shifrat 4-3 në një ndeshje spektakolare.

Do ishte Osmani që në minutën e dytë të ndeshjes që do hapte llogaritë e takimit. Shifrat do dyfishoheshin që pa u mbyllur pjesa e parë, ku Delaj do dërgonte topin në rrjetë në minutën e 31-të. Por nuk do mbyllej me kaq fraksioni i parë i ndeshjes, pasi i zakonshmi Musaraj do “vuloste” tripletën kuqeblu që në 45 minutat e para.

Miqtë përpiqen të reagojnë me fillimin e pjesës së dytë, ku është Karamba që shkurton përkohësisht në minutën e 54-të. Por shifrat do thelloheshin sërish me anë të Spahijas që gjen golin e katërt për Vllazninë. Në fund do kishte edhe dy gola për Dinamon që mbajnë firmat e Thanasit dhe Kasmollarit.

Me këtë fitore Vllaznia U21 ndodhet në vendin e dytë të renditjes me 31 pikë. 4 më pak se Bylis i vendit të parë dhe duket se gara për titullin kampion do zhvillohet mes këtyre dy ekipeve deri në fundin e edicionit.
Endri ÇINARI