Blazho Rajoviç me shumë gjasa do të riveshë fanellën e Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik. Lojtari në fjalë ka qenë një nga të preferuarit e drejtuesve të klubit që në startin e kësaj merkatoje. Madje, me malazezin e Flamurtarit krerët shkodranë kanë kohë që janë ulur në bisedime që pa mbaruar sezoni futbollistik. Dhe tashmë që lojtarit i përfundon kontrata me Flamurtarin pas kupave të Evropës janë hedhur në sulm për të marrë shërbimet e tij për sezonin e ri, në një kohë që është edhe një ndër të preferuarit e trajnerit Shpëtim Duro. Dhe, pas tratativave të shumta, nga burime pranë lojtarit mësohet se ai po shikon mundësinë e rikthimit pranë kësaj skuadre.

Madje, mund të thuhet se preferencat e tij për të qenë në Shkodër kanë qenë të dukshme. Rajoviç është një nga emrat që po kërkohet me ngulm edhe nga ana e tifozerisë shkodrane, së bashku me disa lojtarë të tjerë vendës që kanë dalë nga ky klub. Ndërkohë që në konkurrencë me Flamurtarin dhe Vllazninë, duket se është futur edhe ekipi i Vojvodinës, i cili kërkon të marrë me çdo kusht shërbimet e lojtarit për edicionin e ardhshëm. Megjithatë, mbrojtësi malazez Rajoviç duket se është më pranë kalimit në sezonin e ri te shkodranët, pasi oferta e këtij ekipi i duket më e tundueshme. Gjithsesi, fjalën e fundit, ai do ta thotë pas përfundimit të ndeshjeve evropiane me vlonjatët.