Në takimin e sotëm të Vllaznisë në Vlorë ndaj Flamurtarit trajneri Mirel Josa ka menduar të hedhë në fushë një formacion të përzier, ku bie në sy edhe aktivizimi i disa lojtarëve të rinj, mosha e të cilëve natyrisht që premton shumë për të ardhmen. Kjo ka qenë në fakt e detyruar ngaqë mungojnë disa titullarë për arsye kartonash apo dëmtimesh. Kështu, në portë do jetë sërish malazezi Vujadinoviç që ka deklaruar se do të bëjë më të mirën e tij në këtë takim për të larguar edhe kritikat që kanë vërshuar në adresë të tij javët e fundit.
Në mbrojtje, në krahun e djathtë do luajë këtë herë Gocaj ngaqë mungon Smajli, në qendër Petroviç dhe Sykaj ndërsa në të majtë Popoviç. Në mesfushë do luajë Djepaxhia në të djathtë, Bardulla në të majtë dhe Belisha e Muça në qendër. Sulmi do jetë i pandryshuar me Vajushin dhe Sukajn. Nuk përjashtohet mundësia që në momentet e fundit edhe Popoviç të mos luajë ngaqë ka një dëmtim dhe nëse kjo konfirmohet nga stafi mjekësor atëherë, në vend të tij do luajë Danaj. Një skuadër e mbushur me lojtarë të rinj por a do munden ata ta përballojnë Flamurtarin në këtë takim shumë të rëndësishëm. Kjo është pyetja që shtrohet për ndeshjen e sotme që do luhet në orën 14.00.