Ballafaqimi me korçarët ditën e enjte konsiderohet shumë I rëndësishëm për Vllazninë. Kjo ndeshje mund të vendosë shumë gjëra për pretendimet e saj të mëtejshme në kupë. Në kushte të tilla, trajnerit Vata nuk I mbetet gjë tjetër veçse të bëjë gati skuadrën për këtë ndeshje. Pavarësisht kushteve të vështira për stërvitje, kuqeblutë janë munduar të mbajnë ritmin megjithëse problem tashmë kanë dalë dëmtimet e disa lojtarëve. Këto natyrisht që I kanë prishur jo pak punë stafit drejtues që megjithatë është duke marrë masat për të luajtur pa to. Trajneri Vata ka në mendje të bëjë edhe disa lëvizje në formacion për këtë ndeshje, megjithëse më tepër janë spostime në pozicione të ndryshme në fushë. Kështu, të paktën nisur edhe nga ndeshja miqësore e para tre ditëve me Adën, pritet që të kemi të reja në formacion. Në portë kuptohet që nuk do ketë ndryshim ngaqë Vujadinoviç është pikë shumë e fortë e skuadrës dhe po kalon një formë shumë të mirë sportive. Ndryshime do të ketë në repartin e mbrojtjes. Në mungesë të Smajlit që do mungojë për arsye kartonash ndaj Skënderbeut, pritet të ketë një spostim në këtë krah të djathtë të Sykjes. Një lëvizje e tillë në njëfarë mënyrë bëhet edhe për faktin se në qendër të mbrojtjes ky lojtar ka gabuar në jo pak raste dhe për këtë arsye, në vend të tij do luajë shtatëlarti shkodran I ardhur në merkaton e janarit, Ervis Kraja. Përkrah tij kroati Vuk që ka bërë një paraqitje të mirë si në ndeshjen e fundit me Laçin ashtu edhe në miqësoren me Adën. Në të majtë të mbrojtjes do spostohet kapiteni Belisha dhe me të, plotësohet katërshja e mbrojtjes. Edhe në mesfushë do ketë ndryshime. Dyshja e qendrës pritet të jetë e përbërë nga andoriani Moreno dhe malazezi Brnoviç. Ky I fundit po rritet nga dita në ditë dhe shpresat janë të mëdha tek ai. Kjo do jetë ndeshja e tij e parë që do ta nisë si titular pas debutimit me Vllazninë në ndeshjen e kaluar me Laçin. Në krahun e djathtë të mesfushës do luajë si zakonisht Gocaj ndërsa në të majtin është spostuar më përpara malazezi Popoviç. Ka një dilemë për sulmin sepse Gjini duket I sigurtë që do luajë por ende nuk është e qartë se kush do jetë përkrah tij. Kjo ngaqë Jabllan nuk mund të aktivizohet ngaqë përveç tij, me këtë formacion janë edhe 5 të tjerë të huaj dhe prandaj ai është I limitizuar dhe nuk mund të shkojë më tej. Trajneri kishte llogaritur të aktivizonte si sulmues të dytë Hajdarin por ai ka pësuar lëndim të njërit prej gishtave të këmbës dhe prandaj nuk është stërvitur rregullisht dje sepse ka një nxirje të tij. Edhe lojtari tjetër I mundshëm për të luajtur në këtë post, Hasani ka pësuar edhe ai dëmtim në kofshë dhe është në pikëpyetje nëse mund të rikuperohet deri të enjten. Nëse asnjëri prej tyre nuk bëhet për këtë ndeshje, atëherë ndoshta mund të kemi ndonjë vendosje tjetër në mesfushë të Demës, Karakaçit apo Bardullës dhe kalim më përpara të Brnoviç. Megjithatë deri të enjten mund të ketë sërish vend për ndryshime. E rëndësishme është të përgatitet skuadra ashtu siç duhet për ta kaluar me sukses këtë sfidë shumë të rëndësishme.
Gjergj KOLA