Dy të dëmtuarit në takimin e fundit me Laçin, portieri malazez Mirosllav Vujadinoviç dhe rumuni i mesfushës Kristian Dragoi, ende nuk janë rikuperuar. Vujadinoviç ka një dëmtim në gju, një dëmtim i përsëritur për të, ndërsa Dragoi pas shpatullës që dëmtoi në takimin me Bylisin, thyerja e gishtit të këmbës duket se ia ka shtuar problemet. Stafi mjekësor e cilëson si vendimtare këtë javë që vjen sa i përket rikuperimit të këtyre dy lojtarëve, ndaj dhe po punon me intensitet të lartë, me qëllim që të jenë gati për fundjavën e ardhshme. Siguria në mbrojtje – “Mbrojtja kuqeblu momentalisht është një nga repartet më të mira. Këtë e tregon edhe pësimi i vetëm një goli në pesë takime, duket përjashtuar këtu atë fillim jo të mirë me Skënderbeun”. Kështu është shprehur tekniku Shpëtim Duro sa i përket repartit difensiv. Pavarësisht se nuk e nisi ashtu si duhet këtë kampionat, madje duke dalë jashtë çdo parashikimi që i kishte vënë vetes, mbrojtja shkodrane duket se tani ka ardhur në pritshmërinë e vet. Tre gola të pësuar në përballjen e parë të sezonit krijuan bindjen se afrimet cilësore në difensivë në merkato nuk ishin ato të pritshmet. Por pas atij takimi, gjërat kanë ndryshuar. Një gol i pësuar në pesë ndeshjet e tjera, edhe ai ndaj një Apolonie pa shumë histori, tregon se ky repart sa vjen e po konsolidohet.
Smajli & CO – Dritan Smajli është një nga lojtarët më potentë të kësaj skuadre. Shpirti i garës që ai tregon, pasqyrohet plot forcë takim pas takimi. Elvin Beqiri, kapiteni i shkodranëve në këtë sezon, i kthyer pas shumë vitesh pranë skuadrës së tij, e ka hedhur tej startin jo të mirë të kampionatit. Nga ai takim i parë me Skënderbeun rritja e nivelit të lojës së kapitenit kuqeblu është e dukshme. Tefik Osmani, korçari që është i vetmi lojtar kuqeblu pjesë e ekipit tonë përfaqësues, shikohet si një nga pikat kyçe të lojës në mbrojtje. Një mendim të tillë e shpreh edhe vetë tekniku Duro. Klodian Semina, lojtar i krahut të majtë të mbrojtjes, sa vjen e krijon fizionominë e tij. I ardhur si plotësues në momentet e fundit, Semina duket se ka gjetur shumë shpejt veten dhe besimin e teknikut. Mirëpo Duro nuk duket se ka vetëm këto katër lojtarë për këtë repart të fushës. Ai ka vlerësuar edhe gjendjen e mirë të Krajës dhe Begës, dy lojtarë që shikohen si mundësitë më të mira për teknikun në rast lëvizjesh.
Admir Uruçi