Merkatoja e Vllaznisë mbetet e hapur, ndaj drejtuesit e vijojnë punën për afrimet e reja. Largimet e Imamit, Dilaverit e Kaleziçit, pas lojtarëve që ishin larguar në qershor, kanë krijuar një boshllëk të madh në skuadër. Me përjashtim të portës, të gjitha repartet e tjera kanë nevojë për ndërhyrje.
Për mbrojtjen, pas firmës me Diagne, duhet medoemos edhe një qendërmbrojtës tjetër. Po ashtu, duhen edhe dy mesfushorë qendre e mundësisht edhe një sulmues tjetër përveç kroatit Aralica. “Panorama Sport” më herët pati bërë të ditur se cilat janë prioritetet e trajnerit Tomas Brdariç për pjesën e mbetur të merkatos.
Sa u përket mesfushorëve, trajneri kërkon një shkatërrues dhe një dhjetësh, fantazist. Përpos përforcimeve me lojtarë, klubi po punon për të përmbushur edhe një tjetër kërkesë të trajnerit, afrimin në staf të një videoanalisti, në mënyrë që ndeshjet të analizohen më mirë, si ato të Vllaznisë, por edhe të kundërshtarëve. Se cilat do të jenë këto përforcime, për momentin askush nuk mund ta thotë.
Drejtori sportiv Matko Djarmati për gazetën disa ditë më parë deklaroi se Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje në çdo pozicion. “Panorama Sport” ka mësuar se stafi teknik u ka kërkuar drejtuesve të klubit që merkatoja duhet mbyllur deri më 15 gusht, përpara se ekipi të niset për fazë përgatitore jashtë vendit. Sezoni i ri për Vllazninë do të nisë me finalen e Superkupës ndaj Teutës, që do të luhet më 28 gusht, ku shkodranët duan ta nisin me trofe.
Megjithatë, vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar te kampionati dhe Kupa, pasi kanë synime në të dyja kompeticionet. Paraqitja e sezonit të fundit i ka ngrohur të gjithë dhe si rrjedhojë tashmë besimi është i madh që mund t’ia dalin sërish të jenë pretendentë deri në fund për fitimin e këtyre trofeve.