Mirsad Jonuz i ka idetë e qarta për Vllazninë, të paktën për stafin që kërkon të ketë me vete në aventurën e tij në Shkodër. Ai kërkon që të ketë një tjetër ndihmës nga Maqedonia e Veriut.

Mësohet se ka biseduar me drejtorin sportiv, Firat, dhe me administratorin Lici për këtë temë. Dëshiron që njëri prej ndihmësve të tij të jetë një bashkëpunëtor i vjetër, me të cilin ka punuar edhe në Maqedoninë e Veriut. Tekniku Jonuz ka biseduar me drejtuesit e klubit për këtë gjë dhe tani do të jenë këta të fundit që do të shikojnë mundësinë për t’ia plotësuar kërkesën e parë trajnerit të tyre. Nga burimet brenda klubit bëjnë me dije se trajneri i ri i kuqebluve kërkon të marrë situatën nën kontroll jo vetëm për lojtarët që do të afrojë, por edhe për stafin e tij.

Jonuz mendon se ndihmësi është shumë i rëndësishëm dhe duhet ta njohë për të pasur një bashkëpunim sa më të frytshëm në aventurën te Vllaznia. Kjo do të thotë se trajneri i njohur i shkodranëve, Safet Osja, mund të largohet dhe është i rrezikuar për të mos qëndruar më në skuadër. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Osja të jetë sërish pranë ekipit dhe skuadra të ketë katër persona në staf. Kjo gjë do të jetë në dorën e drejtuesve të klubit që do të marrin vendimet në bazë të buxhetit që kanë për stafin teknik.

SKUADRA- Në seancat e para stërvitore të fazës përgatitore për sezonin e ri, trajneri Jonuz ka qenë i prerë me lojtarët e tij. Përpara nisjes së stërvitjes, ai u ka kërkuar lojtarëve angazhim maksimal, disiplinë dhe përkushtim. Trajneri u ka dhënë ultimatum të gjithëve që të japin më të mirën, sepse nga kjo stërvitje do të fitojnë vendin e tyre në projektin e Vllaznisë.

Ai i ka paralajmëruar të gjithë se grupi do të ketë skarcime, pavarësisht se ka edhe lojtarë që kanë kontratë me kuqeblutë. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej këtyre lojtarëve mund të largohet si huazim në skuadra të tjera që të ketë mundësi aktivizimi.

“Të gjithë e kemi këtu. Kush më shumë dhe kush më pak kanë dhënë për këtë skuadër. Për mua kjo nuk ka shumë rëndësi. Për mua e rëndësishme është që çdo njeri t’i tregojë vlerat e tij gjatë kësaj kohe që jemi bashkë. Në radhë të parë kërkoj korrektësi dhe përkushtim nga të gjithë. Disiplinë në punë. Nëse keni një kontratë, nuk ka rëndësi, pasi mund të mos jeni pjesë e planeve të mia”, mësohet t’u ketë thënë trajneri përpara nisjes së punës./panorama-sport/