Opinion nga Mejdan ZHIVANI

Skuadra e Vllaznisë, deri tani, në këtë sezon ka pësuar 19 gola në kampionat, një shifër shumë e lartë dhe shqetësuese për një ekip, që e nisi sezonin si pretendente, të paktën, nisur nga deklarimet. Por jo vetëm kaq. Por në traditën e kësaj skuadre nuk duhet të ndodhë një fenomen i tillë, ndërkohë që në radhët e saj nuk mungojnë lojtarët-mbrojtës. Aq më tepër, që tani për tani, mund të konsiderohet një reparti i mbipopulluar në këtë drejtim. Janë gjashtë mbrojtësa të mirëfilltë dhe që konsiderohen me eksperiencë, por deri tani Vllaznia ka treguar se nuk ka mbrojtje. Kjo mund të jetë përgjegjësi e vetë lojtarëve, por mund të spostohet dhe më lart, duke marrë përsipër mos gjetjen e vendit të gjithësecilit, apo pse jo, ndoshta ndonjëri prej tyre apo disa mund të mos kishin vend tek skuadra shkodrane. Gjithsesi kjo është një temë, që i përket një momenti tjetër për t’u analizuar apo i përket njerëzve të tjerë të marrin përgjegjësitë. Smajli, Popoviç, Petroviç, Vuk, Kraja dhe Sykaj përbëjnë gjashtëshen natyrale të mbrojtjes shkodrane, ku vetëm dy prej tyre kanë mbërritur gjatë merkatos së dimrit tek kuqeblutë: Vuk dhe Kraja. Duke e parë në tërësi, duket se reparti i mbrojtjes së Vllaznisë ka qenë tepër i pasigurtë në 14-të javët e kampionatit të Superligës, por kjo pasiguri është shfaqur dhe në ndeshjet e Kupës. Ne përmendëm vetëm gjashtë lojtarë-mbrojtës, por ka edhe të tjerë, që në momente të caktuara janë përdorur si të tillë, si për shembull Belisha dhe Gocaj nga krahët, duke e çuar numrin e tyre në total në 8-të, por në fazën e parë është përdorur dhe G. Muça në mbrojtje i larguar tashmë, por është afruar herë pas here dhe i riu I.Bala për këtë repart. E parë në tërësi duket se lojtarët nuk mungojnë, por ky repart nuk po funksionon siç duhet. Nuk është vështirë për të gjetur të çara në mbrojtjen shkodrane në këtë sezon dhe kjo duket në çdo ndeshje. Prandaj kërkohet një sistemim më i miri i këtij reparti apo i lojtarëve të këtij sektori në mënyrë që ky “ves” i keq të hiqet. Çdo kundërshtar i Vllaznisë në këtë sezon e ka të qartë, pa nisur mirë ndeshja se do të shënojë në portën e kuqebluve, të paktën shanset do t’i jepen. Kjo ka ndodhur thuajse në çdo ndeshje të këtij sezoni. Gjithsesi, pozitive ka qenë ndeshja e fundit, me Skënderbeun për Kupë, ku Vllaznia nuk kishte përballë një ekip dosido, por kampionët në fuqi dhe nuk pësoi gol. Le të jetë ky një sinjal apo “ogur” i mirë se gjërat kanë nisur të përmirësohen tek Vllaznia, duke nisur fillimisht tek mbrojtja, e pastaj me sistemimin dhe stabilizimin e mesfushës e në fund për të shpresuar që dhe sulmi të bëjë punën e vet. Gjithçka i mbetet të ardhmes për ta vërtetuar këtë gjë apo edhe të kundërtën.