Kukësi do kthesën në “Elbasan Arena”. Nënkampionët presin në orën 17:00 Vllazninë, në një ndeshje që është e gjitha për t’u fituar. Hapat fals janë të ndaluar, madje jo vetëm sot, por deri në mbyllje të kësaj faze.

Edhe Shpëtim Duro kërkon pikët e plota, por saktëson se fitoret nuk merren me “telekomandë”. Për të rëndësi ka që skuadra të shmangë luhatjet dhe mbi të gjitha, të garojë deri në fund për titullin.

Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport” vlerëson maksimalisht shkodranët dhe Mirsad Jonuz, të cilin e njeh që prej kohës kur punonte në Maqedoni. Trajnerit të veriorëve nuk i ka ikur ende inati me humbjen në Durrës, ndërsa thekson se vendimet joprofesionale të Enea Jorgjit vendosën rezultatin.

“Luajmë kundër Vllaznisë, ekip që ka bërë mirë në këto javë. Sidomos në aspektin difensiv kanë në përbërje lojtarë me eksperiencë, por as në sektorët e tjerë nuk mbeten pas. Ndaj duhet një vlerësim jashtëzakonisht maksimal për kundërshtarin”- ka deklaruar Duro.

Ndersa ne lidhje me ndeshjet e ardhshme ai ka deklaruar: “Për objektivat do të flasim në fund të sezonit. Unë e kam të qartë që do luftojmë për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. E rëndësishme është që të jemi në luftë dhe rivalizojmë deri në fund të kampionatit.

Ne hyjmë në çdo ndeshje, ashtu si çdo skuadër, për të marrë maksimalen. Por futbolli nuk ka asnjëherë fitore në mënyrë absolute. Duhet të punosh dhe lodhesh. Sporti njeh edhe humbje veç fitoreve. Kampionati është i gjatë dhe mund të ketë dhe oshilacione, ndaj është mirë që t’i shmangim”.