Një ditë pas nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri, tek Vllaznia është vënë re qartë se kontigjenti i lojtarëve në dispozicion të trajnerit Hasan Lika nuk është i plotë.
Në seancën e parë ai ka patur në dispozicion vetëm 17 futbollistë, disa prej të cilëve madje janë të rinj dhe pa eksperiencën e duhur për të arritur objektivin që ka skuadra.
Nëse do të mbetej ky kontigjent, sigurisht që Vllaznia do ta kishte të vështirë të ngjitej në Superligë. Megjithatë vetë trajneri Hasan Lika ka bërë të ditur se do të ndërhyhet në merkato për të sjellë lojtarët që i duhen ekipit.
Nga një vëzhgim i shpejtë i emrave të lojtarëve që ishin të pranishëm në seancën e parë, konstaton se problemi i portës duket i zgjidhur me Sherrin, Selimajn dhe Vjerdhën.
Edhe mbrojtja nuk është keq me Gurishtën, Pjeshkën që në fakt ka një dëmtim në këto momente, me Markun, Ruqin e disa të rinj. Në mesfushë ndërkohë ka më shumë emra, madje të rëndësishëm si Lika, Tafili, Bardulla e Krymi ndërsa shqetësimi më i madh është reparti i sulmit.
Pjesë e tij aktualisht janë vetëm Hajdari dhe i riu Pusi. Me këto dy futbollistë nuk ka shumë garanci se zgjidhet problemi i golit dhe për këtë arsye patjetër që duhet ndonjë përforcim.
Vetë trajneri është shprehur se ka marrë garanci nga drejtuesit për të ndërhyrë në merkato dhe prandaj tashmë pritet të shohim se kush do të vijë.
E rëndësishme është se të gjitha lëvizjet duhen bërë shumë shpejt sepse nuk ka kohë për të humbur. Me siguri që në seancat në vazhdim, numri i futbollistëve në stërvitje do të vijë duke u rritur, por nuk dihet se të çfarë niveli do të jenë ato që do bashkohen me skuadrën. Për këtë arsye, për të parë Vllazninë e sezonit të ri mbase duhet pritur edhe disa ditë.
www.shkodrasport.com