Kuqeblutë dje kanë mbyllur “javën e pushimit” dhe nga dita e djeshme do të fillojnë përgatitjet për ndeshjen e fundjavës me Tomorin. Tek Vllaznia për momentin gjërat duken në rregull. Dy fitoret e fundit ndaj Bylisit dhe Laçit e kanë rritur shumë moralin e skuadrës. Dita e djeshme ka sjellë seancën e fundit stërvitore të skuadrës shkodrane për javën që po lëmë pas. Trajneri Shpëtim Duro e ka nxjerrë ekipin herët në stërvitje, seancë kjo që ka nisur në orën 09.00 të mengjesit ngaqë fusha “Reshit Rusi” ku është dashur të zhvillohet kjo seancë, në orët e mëvonshme ka qenë e zënë me ndeshjet e ekipeve të Akademisë. Në kushte të tilla, futbollistët ende pa hapur sytë mirë kanë qenë në stërvitje. Një stërvitje që nuk ka zgjatur shumë dhe më pas, ata kanë marrë rrugën për në shtëpitë e tyre sepse fundjavën do ta kenë pushim. Stafi drejtues po mundohet që të mos e rëndojë gjendjen psikologjike të futbollistëve me “regjim kazerme” apo presion për të fituar me çdo kusht. Trajneri Duro kërkon të bëjë rolin e psikologut dhe marëdhëniet me futbollistët I ka shumë të mira. Madje, edhe Brenda klubit, drejtues të ndryshëm mendojnë se ai është më I butë sesa duhet në marëdhëniet me lojtarët, megjithatë deri tani ia ka dalë të ndërtojë raporte të mira me ta. Nga ana tjetër, ditët e fundit atmosfera në skuadër nuk ka qenë edhe aq e qetë sa më mund të duket në pamje të parë. Disa ndërhyrje të administratorit Gjyrezi, raporti I UEFA-s për dyshime në ndeshjen Vllaznia- Skënderbeu, I “kanë trazuar ujërat”. Numri 1 I klubit nuk dëshiron që skuadra shkodrane të përmendet për gjëra të tilla. Për këtë arsye, ajo çfarë po shohim është se Gjyrezi po I qëndron shumë afër skuadrës. Prania e tij në shumë prej seancave stërvitore, bashkëbisedimet me trajnerin Duro dhe pjestarë të stafit të tij bëhen me qëllim për t’I dhënë atyre të kuptojnë dhe përmes tyre edhe futbollistëve se nuk duhet të tolerojnë në asnjë seancë stërvitore dhe jo më në ndeshje. Kalendari I ndeshjeve të ardhshme për kuqeblutë duket disi I favorshëm pasi këtë javë që vjen ata do të udhëtojnë drejt Beratit për t’u ndeshur me skuadrën e vendit të fundit në renditje. Sigurisht që më keq se kaq nuk do t’I gjejnë asnjëherë beratasit dhe prandaj ekziston mundësia për të marrë tre pikë në atë takim. Pas tij, do luhet me Shkumbinin në Shkodër dhe mundësia për të marrë një tjetër fitore është e madhe. Java e nëntë dhe ajo e dhjetë do dhurojë dy sfida shumë interesante dhe njëkohësisht të rëndësishme teksa fillimisht do të luajë në “Niko Dovana” me Teutën, një kundërshtar ndoshta direkt në garë për një vend në Kupat e Europës dhe më pas, do të presë në Shkodër ekipin e Tiranës. Nëse gjërat shkojnë mirë për Vllazninë, në javën e 10-të të kampionatit ajo do jetë e sigurtë në vendin e dytë në renditje dhe pse jo në të parin. Kalendari ua mundëson këtë gjë. Thjesht duhet patur shumë kujdes duke I marrë ndeshjet një e nga një dhe në fakt në kampin shkodran askush nuk e përmend fjalën titull. Duke ecur në këtë mënyrë mbase gjërat mund të shkojnë edhe më mirë për këtë skuadër prandaj dhe drejtuesit bëjnë thirrje të herëpashershme për qetësi dhe kujdes.
Gjergj KOLA