Ashtu siç ishte premtuar, ekipi I atletikës së Vllaznisë për 20 vjeçarë është shpallur kampion I Shqipërisë. Garat janë zhvilluar pasditen e së premtes në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë dhe në të kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të vendit. Ka patur rivalitet megjithatë atletët shkodranë kanë dominuar në shumicën e garave. Kështu, sportisti I talentuar Gledis Halluni ka dalë kampion në garën e kërcimit së gjati teksa ka kërcyer 6 metra e 92 centimetra e po ashtu kampion edhe në garën e kërcimit trehapësh me 14 metra e 14 centimetra.

Dy vende të para ka zënë edhe sportisti tjetër Bajram Muça. Ai është shpallur kampion në garën e 100 metrave dhe atë të 110 metrave me pengesa. Nga atletët e Vllaznisë, vend të parë ka zënë edhe Nazmi Jusufi në garën e hedhjes së shtizës. Po ashtu, ekipi shkodran ka zënë vend të parë edhe në stafetën 4 x 100 metra. Këto rezultate tregojnë edhe njëherë tjetër për dominimin e atletëve të Vllaznisë që sigurojnë edhe një tjetër titull kampion pas atij të 18 vjeçarëve të fituar pak kohë më parë si dhe të Kupës së Shqipërisë me të rriturit. Objektivi I rradhës natyrisht që tashmë është fitimi I titullit kampion në garat që do të zhvillohen sërish në Tiranë më 10 dhe 11 qershor. Një lajm tjetër që vjen nga atletika ka të bëjë me atë se dy atletë të Vllaznisë, pikërisht ata të kërcimit, Izmir Smajlaj dhe Gledis Halluni, do të marrin pjesë në garat e kampionatit kombëtar të Maqedonisë që do zhvillohen më 28 maj, kuptohet jo me të drejtë konkurrimi por do jetë një mundësi e shkëlqyer për atletin Smajlaj që të thyejë sërish rekordin e kërcimit së gjati. Kujtojmë këtu që ai e ka barazuar atë në garat e zhvilluar këtë muaj në Shkodër, megjithatë tashmë objektivi është për ta thyer sërish dhe garat e Shkupit janë një mundësi reale për të.

Gjergj KOLA