
Volejbolli shkodran vazhdon serinë e sukseseve këtë sezon. Pas titullit kampion të fituar nga ekipi i të rriturve dhe më pas ai i të rejave, ditën e dielë ka ardhur edhe një tjetër trofe. Këtë herë nga ekipi i paratërejave që ka triumfuar mbi kundërshtarët e tij duke u shpallur më i miri i vendit. Faza përfundimitare e kampionatit është zhvilluar me sistem grumbullimi në Tiranë dhe çdo ekip ka zhvilluar tre ndeshje. Kush do të mblidhte më shumë pikë, do të shpallej edhe kampion Në ndeshjen e parë vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin 2-0 ndaj Partizanit. Në ndeshjen e dytë, kanë fituar 2-1 me Skënderbeun dhe gjithçka sa i takon titullit do të vendosej në ditën e tretë. Përballë vajzave kuqeblu ka qenë ekipi i Flamurtarit por edhe ndaj tij nuk ka patur rezultat tjetër veç fitores. Vllaznia ka fituar 2-0 edhe këtë ndeshje të fundit dhe me pikë të plota është shpallur kampione e Shqipërisë për këtë vit. Një sukses i merituar i të gjitha vajzave të këtij ekipi dhe i trajnerit Ferdinand Bardeli që ka patur pranë edhe ndihmën e trajnerit të ekipit të të rejave, Adrian Mikoplin. Ky ka qenë titulli i dytë rradhazi për këtë ekip, çka tregon se kemi të bëjmë me një brez vajzash të talentuara që premtojnë shumë për të ardhmen. Fakti që edhe sivjet, Vllaznia është shpallur kampione si me ekipin e të rejave ashtu edhe më paratërejat, tregon se e ardhmja e këtij sporti për 2-3 vite është e sigurtë sepse këto vajza do të plotësojnë ekipin e parë me elementin e duhur dhe ky ekip do të ketë më pas pretendime të tjera dhe jo sivjet kur nuk arriti të hyjë as në plej- of.
© shkodrasport.com
