Viti 2019 ka nisur në mënyrën e duhur për atletikën shkodrane. Pas sukseseve të vitit të kaluar, edhe sivjet duket se Vllaznia do të tentojë t’i fitojë të gjithë titujt kampionë për të gjitha grupmoshat.
Dhe nisja është e mbarë. Në kampionatin e zhvilluar këto ditë në Elbasan, Vllaznia ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampione për kategorinë U16. Ajo ka grumbulluar 122 pikë, më shumë se të gjithë ekipet e tjera.
Në këtë grupmoshë spikasin sportistët Kolindo Kiri që në kërcim së gjati zuri vendin e parë, Agustin Kici vendi 2-te, Luka Nenshati vendi 3-te.
Në garën e 100m/pengesa, Agustin Kici vendi 1-re, Kledis Katalina vendi 3-te. Në kërcim se larti Erdi Duka vendi 1-re, Luka Nenshati vendi 2-te. Ndërkohë në garën e 100 m, Kolindo Kiri vendi 2-te. Në gjyle, Endrit Boriçi vendi 2-te ndërsa në stafetën 4x100m Vllaznia zuri vendi 1-re.
Për t’u përmendur është edhe fakti se ekipi i vajzave ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe në këtë kampionat është renditur në vendin e dytë. Spikat mbi të gjitha atletja Erisa Rrasa që u shpall kampione në kërcim së gjati me një rezultat shumë të mirë, 5.35 m.
Ndërkohë, në kampionatin U13, Vllaznia ka marrë pjesë me një grup më të reduktuar sportistësh dhe ka zënë vendin e dytë në renditjen ekipore, si për djem ashtu edhe për vajza.
Mund të përmendim në këtë grupmoshë sportistin Juri Lumanaj që zuri vendin e parë në kërcim së gjati me distancën 4.07 metra, ndërsa Dalron Quku është renditur i dyti me 3.78 m dhe Sidrit Kopliku vendi i tretë me 3.66 metra.
Në garën e 50 metrave, Klevis Vera është renditur i dyti, ndërsa në 100 metra po ky sportist është renditur sërish i dyti ndërsa Juri Limanaj i treti. Ndërkohë në stafetën 4×50 metra katërshja Quku, Lumanaj, Kopliku, Vera është renditur e para.
Këto suksese të atletëve shkodranë padyshim që është meritë e tyre por edhe e punës së palodhur të trajnerëve që i stërvisin ato duke filluar nga Vildan Tufi, e duke vazhduar me Albert Marashin, Bruno Rrotani, Fatjon Serhatin dhe Dorian Tafën.
© shkodrasport.com