Ekipi i Vllaznisë në boks është shpallur për të 19-tën herë kampion i Shqipërisë. Një sukses i padiskutueshëm i këtij ekipi, të drejtuar nga ndihmësit e tij Jozef Sermi e Besnik Limani që vazhdon të vendosë hegjemoninë e tij sërish në boksin shqiptar. Suksesi i sotëm në fakt ka qenë i vështirë për t’u arritur teksa finalet e zhvilluara në qytetin e Vlorës kanë dhuruar sfida shumë interesante. Nga tetë boksierët që Vllaznia kishte nxjerrë në finale (përballë 7 të Tiranës), kanë arritur të shpallen kampionë 4 prej tyre dhe pikërisht Rexhildo Zeneli në peshën 60 kg, Asmer Bilali në peshën 69 kg, Emanuel Kaçaj në peshën 91 kg dhe Nelson Hysa në peshën +91 kg. Pikërisht fitorja e këtij të fundit ka sjellë edhe sigurimin e titullit kampion në një kohë që shkodranët kanë patur shumë pretendime për gjyqtarinë për humbjen e ndeshjes finale të peshës 56 kg ku ka konkurruar Ronildo Piranej. Megjithatë e rëndësishme është që Vllaznia është sërish kampione e vendit duke fituar titullin e 19-të ndër 22 kampionatet e zhvilluara në vendin tonë pas rifillimit të boksit. Një sukses i jashtëzakonshëm, si asnjë ekip tjetër sportiv dhe për më tepër duke patur gjithnjë në krye një trajner si Zef Gjoni që meriton gjithçka.
www.shkodrasport.com